Ky është ministri i ri i Shëndetësisë në Kosovë
Para pak minutash, kryeministri Albin Kurti ka njoftuar se për ministër të Shëndetësisë ka emëruar mjekun Rifat Latifi, i cili jeton dhe punon në Amerikë prej disa vitesh.
Latifi është i lindur në Kllodernicë të Skënderait më 1955. Pas mbarimit të studimeve (1982) në Fakultetin e Mjekësisë në Prishtinë emigroi në SHBA.
Fillimisht u vendos në Hjuston, ku punoi në hulumtime shkencore. Specializimin për kirurgji e filloi në Klinikën e Klivlendit, pastaj e vazhdoi në Universitetin e Jelës, ndërsa specializimin e dytë në traumatologji të përgjithshme dhe reanimacion e kreu në Nju Jork.
Profesor universitar u bë pas 5 viteve të mbarimit tëspecializimit dhe mbajti shumë poste akademike dhe organizative me rëndësi në mjekësinë botërore.
Gjatë karrierës së tij ai ka punuar në universitete dhe qendra spitalore me emër nëpër Amerikë, si Texas, Filadelfia, New York, Doha.
Aktualisht, është profesor i kirurgjisë dhe president i Kolegjit të Kirurgëve Amerikan për shtetin e Arizonës.
Latifi është krijues dhe implementues i Programit të Telemjekësisë në Kosovë dhe Shqipëri, program ky i financuar nga USAID.
Është laureat i çmimit prestigjioz dhënë nga “IDG’s Computerworld Honors Program” (2011).