Ky është i dyshuari për plagosjen në Fushë Kosovë, ndodhet në arrati
Pas të shtënave me armë zjarri në Fushë Kosovë, në afërsi të një marketi në rrugën “Bedri Pejani”, është plagosur një person. I lënduari është dërguar në QKUK, kurse i dyshuari ndodhet në arrati.
Sinjali ka mësuar se personi që po dyshohet se është i përfshirë në këtë rast është Fitim Binakaj, 25-vjeçar.
Ndërsa personi i plagosur është rreth 30-vjeçar dhe bëhet fjalë për Adam Ott, shtetas i huaj.
Lajmin për incidentin ka konfirmuar edhe zëdhënësja e Policisë për Rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti.
“Sot rreth orës 17:00 policia ka marrë informatën për një plagosje me armë zjarri të ndodhur në rrugën ” Bedri Pejani” në Fushë Kosovë. Menjëherë pas marrjes së informatës policia ka dalë në vendin e ngjarjes dhe ka ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme që konsistojnë në hetimin e rrethanave që karakterizojnë ngjarje. Në këtë rast, nga arma e zjarrit lëndime trupore ka pësuar një person dhe i njëjti është dërguar për tretman mjekësor.
Ndërkohë që hetuesit policor në koordinim me prokurorinë, po ndërmarrin veprimet hetimore për arrestimin e personit të dyshuar ( i cili është identifikuar) si dhe ndriçimin e plotë të rastit.”
Sipas informacioneve të para, viktima është qëlluar nga një veturë në lëvizje, ku ndodheshin personat e përfshirë në rast.