Kuvendi i Komunës së Gjilanit refuzon lirimin e bizneseve nga taksa komunale për vitin 2023

 Kuvendi i Komunës së Gjilanit refuzon lirimin e bizneseve nga taksa komunale për vitin 2023

Gjilan, 10 janar / Kuvendi i Komunës së Gjilanit, nën drejtimin e Kushtrim Kadriut, kryesues, sot në vazhdim të seancës së nëntë, pasi ka shqyrtuar gjerësisht kërkesën për lirimin e bizneseve nga taka komunale për vitin 2023, me shumicë votash e ka refuzuar atë, megjithëse grupimet më të mëdha politike i kanë ndarë votat në këtë pikë.

Propozimi i ardhur nga Drejtoria e Zhvillimit Ekonomik, u vlerësua i papranueshëm nga grupi i këshilltarëve të LDK-së, me arsyetim se tani kanë ndryshuar rrethanat dhe kushtet e të bërit biznes në krahasim me vitet 2020/2021, kur ishin falur këto taksa shkaku i pandemisë dhe nuk është e nevojshme falja e taksës.

Edhe grupi i këshilltarëve të PDK-së ishte i mendimit se nuk duhet të falen taksat për të gjitha bizneset njësoj, duke sugjeruar që taksat t`u falën vetëm bizneseve të vogla dhe të mesme.

Ndërkaq, LVV, me një përjashtim, i dha përkrahje propozimit të Drejtorisë së Zhvillimit Ekonomik, pasi që kjo taksë ishte falur edhe gjatë viteve 2020/2021, ndërkohë që arkëtimi i saj për vitin 2023 nuk është planifikuar fare.

Vota të mjaftueshme për miratim nuk mori as propozimi për përcaktimin e vlerës së qirasë dhe bonuseve të banimit në dy programe sociale.

Ndërkaq, Kuvendi miratoi planin lokal të veprimit për barazi gjinore 2024-2026, planin e punës të ekipit për të Drejtat e fëmijëve 2024-2026, sikurse edhe planin e punës të Kuvendit për vitin 2024, me disa plotësime, bashkë me orarin e mbledhjeve të rregullta të Kuvendit dhe Komiteteve për vitin 2024.

Kryesuesi Kushtrim Kadriu tha se një pjesë e aktiviteteve janë propozime të drejtorive dhe ne si komision i kemi përfshirë ato në planin e punës së Kuvendit për vitin 2024.

Kuvendi miratoi edhe raportin komisionit për shqyrtimin e ankesave dhe kërkesave në procesin e emërtimit të rrugëve dhe numërimit të adresave si dhe raportin e komisionit për ndarjen e bursave për studentë, bashkë me propozimin për kompensimin e anëtarëve të të dy komisioneve, në shumën e prej 50 euro për çdo mbledhje.

Kuvendi diskutoi edhe për funksionalizimin e punës së Komiteteve, të cilat u vlerësuan të nevojshme për funksionimin sa më të mirë të organit vendimmarrës dhe vendosi për formimin e një grupi punues të përbërë prej shefave të grupeve, i cili do ta diskutoj këtë çështje, përfshirë edhe problemin e kompensimit dhe në seancën e ardhshme do të vijë me një propozim konkret.

Njëherësh, Kuvendi miratoi edhe raportin e Komisionit për dezinfektim, pastaj kërkesën e LDK-së për zëvendësimin e një anëtari të saj në komisionin për zgjedhjen e këshillave lokale (Gresa Avdiu në vend të Drenushë Malokut), ndërkohë që i dha përkrahje edhe kërkesës së Hendikosit për krijimin e një nënkodi buxhetor në kuadër të Drejtorisë së Shëndetësisë, për nevoja dhe aktivitetet e këtyre shoqatave.

Ndërkaq sa i përket problemit të mos regjistrimit të një numri prej 60 nxënësve në shkollën e Mjekësisë, 25 prej të cilëve kanë ngelur pa u sistemuar askund, që ishte njëra ndër shumë pyetjet e bëra në këtë seancë nga këshilltarët komunalë, nënkryetarja e Komunës, Leonora Morina Bunjaku ka thënë se hapjen e paraleleve të reja në këtë shkollë, jashtë afatit, ne e kemi kundërshtuar me vite të tëra dhe ky ndryshim ka filluar pikërisht në vit.

“Shkolla e Mjekësisë në komunën e Gjilanit, duke e pasur parasysh që është regjionale, nuk ka kushte për shtimin e paraleleve të reja, por në të ardhmen, në objektin e ri të shkollës, ndoshta mund ta planifikojmë këtë”, ka thënë ajo. Për më tepër, nënkryetarja Morina-Bunjaku ka thënë se po ashtu duhet t`i parashtrojmë edhe pyetje vetvetes se sa ka nevojë komuna e Gjilanit për infermierë e për mjekë dhe sa mjekë dhe infermierë i ka komuna e Gjilanit të papunësuar.

Të ngjajshme