Kush ishte Selami Jashar Hallaçi – ( 1919 – 1944 )
Selami Hallaçi lindi më 3 Prill të vitit 1919 në Rahovicë të Preshevës. Rridhte nga një familje e varfër e Jashar Hallaçit. Shkollën fillore e kreu në vendlindje, ku u dallua si nxënës i shkëlqyeshëm, më pas mësimet i vazhdoi në medresenë e Shkupit – çerdhe ku kishte shumë revolucionarë. Si nxënës e kuptoi thundrën e rëndë të armikut që e shtypte popullin, klasën punëtore e fshatarësinë. Selamiu u dallua si revolucionar dhe për këtë shkak u përjashtua nga shkolla me ç‘ rast u detyrua t’i vijojë mësimet në Manastir. Gjatë Luftës së Dytë Botërore ai ishte nxënës i gjimnazit. Pas mbarimit të maturës kthehet në vendlindje me shpresë që të punësohet, por bullgarët e kishin okupuar Maqedoninë dhe një pjesë të Serbisë Jugore. Qëllimi i tyre ishte që t‘i likuidonin intelektualët përparimtarë të këtij rajoni, ata i quanin diamante që duhej t‘i formësonin sipas dëshirës së tyre dhe në të vërtetë të tillë ishin. Për njerëzit si Selamiu nuk kishte vend për ta ushtruar profesionin e tyre si intelektual. Ai u detyrua të punojë fizikisht për ta siguruar kafshatën e gojës, organizonte demonstrata dhe greva të vogla. Si i tillë u bie në sy organeve të rendit të okupatorit. Prandaj shpejt largohet nga vendlindja dhe shkon në Gjilan ku punon si mësues, e më pas në Korçë vazhdon një seminar dymujor ku i jep lëndët plotësuese të shkollës normale dhe sërish më 1942, kthehet në Gjilan, ku emërohet si mësues në ndërtesën e vjetër “Zenel Hajdini”.
Edhe në Gjilan Selamiu vazhdoi aktivitetin e tij revolucionar. Një kohë të gjatë punoi në Shtimje
dhe Prishtinë. Në ndërkohë takohet me shokë dhe kryen detyra që i‘ a parashtron shoqëria. Në vitin 1943-44 bëhet Sekretar i Inspektoratit të Arsimit në Prishtinë. Megjithatë veprimtarinë e vet e vazhdoi ilegalisht, deri sa një ditë kuestura policore e heton dhe e arrestojnë. Në burgun e Prishtinës e mbajnë një kohë të gjatë dhe në mënyrën më mizore e provokojnë dhe torturojnë, por nuk arrijnë kurrë t‘i nxjerrin fjalë për veprimtarinë atdhetare e patriotike të shokëve dhe organizatës. Si një intelektual me ideal të çeliktë, Selamiu nuk u tremb kurrë para armikut madje edhe atëherë kur e kishte litarin e vdekjes para syve. Kishte ngritur dorën dhe i përshëndeti shokët duke brohoritur: “Vdekje fashizmit – Liri popullit”. Një natë të kobshme gushti të vitit 1944, në Prizren u shuan dhjetë jetë së bashku me Selamiun. Nëntë djelmosha dhe një vashë në moshë më të re dhanë jetën për një dëshirë, për një ideal më të madh se jeta – për Liri, pavarësi dhe të drejtat e njeriut, ata qëndruan para armikut gjakpirës burrërisht, trimërisht dhe heroikisht, pa i tradhtuar shokët dhe kombin, pa e braktisur idealin patriotik, por besnik ndaj shokëve e kombit ai flijoi jetën me vetëmohim.
Lavdi jetës dhe veprës së atdhetarit Salami Hallaçit!