Kush ishte kryetar i fundit shqiptar në Bajë të Siarinës?
Shkruan: Rexhep Abazi
Komuna e Medvegjës, që nga viti 1878, pas spastrimeve etnike e gjenocidiale ndaj shqiptarëve të Sanxhakut të Nishit, mbeti e sakatosur, me pak shqiptarë e vendbanimeve që i kishte atëherë, por edhe sot, pra 12 nga 42 me popullatë shqiptare.
Vendbanimet e tjera u mbushën me kolonë serbë e malazez, të cilëve shteti i Serbisë ua dhuroi tokat shqiptare.
Mbase këto 12 vendbanime shqiptare mbetën dhe ruhen deri në ditët e sotme, por edhe në disa nga këto, shteti futi kolonë (kuptohet në tokat më të mira).
Ca nga këto, siç Sfirca, Gërbaci, Tupalla, Dediqi, Kapiti mbetën fshatra vetëm me popullatë
shqiptare. Të tjerat i përzien me kolonë.Por, shqiptarët e Medvegjës, që nga ajo kohë e deri në vitin 1956 kishin organizimin institucional, pra kishin komunën shqiptare me seli në Siarinë e më vonë në Banjën e Siarinës.
Kjo komunë funksionoi deri në vjeshtën e vitit 1956, me kryetarin e fundit shqiptar, Rahim (Hysen) Abazin nga Sfirca, i njohur si Rahimi i Hysenit, apo Plisbardhi dhe nënkryetarin Zeqir (Fezë) Uka nga Tupalla, i njohur si Zeqa i Fezës.
Me siguri, për t`i minimizuar shqiptarët dhe për t’i bërë pakicë, shteti i atëhershëm e anekson komunën e Bajës së Siarinës, duke ia bashkangjitur komunës së Medvegjës, nën të cilën nga kjo kohë shqiptarët destabilizohen dhe përjashtohen nga çdo mundësi organizimi të mirëfilltë, sepse si pakicë më nuk dëgjohej e as nuk dëgjohet as sot zëri i tyre.
As socializmi, i proklamuar si sistem i njerëzve të barabartë, nuk u solli shqiptarëve ndonjë të mirë karakteristike, sepse politika hegjemoniste dhe diskriminuese ndaj tyre, nuk pushoi kurrë.
Por, këta shqiptarë të dinjitetshëm, punëtorë e atdhetarë kurrë nuk e braktisën këtë pjesë të trojeve shqiptare.