Kush është Rexhep Shala?
Mjeku gjilanas Rexhep Shala që tani punon në Goppingen të Gjermanisë dhe është kryemjek në spitalin e shtetit, ka bërë emër të njohur dhe po kërkohet nga të gjithë qytetarët pa dallim.
Puna e tij e mirë profesionale, rastet e trajtuara në mënyrë shumë profesionale dhe dëshira e tij që të jetë taman mjek profesionist e kanë bërë Rexhep Shalën një mjek të dashur, të afërt dhe të sinqertë me klientët e tij edhe në spitalin shtetëror, por edhe në ambulancën e tij private.
Shala nuk e ka pasur të lehtë ecjen e tij as profesionale e as familjare në Gjermani pasiqëështë detyruar pothuajse që nga fillimi të kryej fakultetin dhe të përfundojë doktoraturën me rezultate shumë lakmuese në Gjermani.
Tani Rexhep Shala (1967) është mjek shumë i njohur në një spital të madh në Gypingen (Goppingen), rrethina e Shtutgardit (Gjermani) ku jeton me familje prej më shumë se njëzet vitesh. Në spitalin ku punon, që është ndër më të mëdhenjtë në rrethinat e Shtutgardit, tetë katesh, me disa reparte, atij i është besuar pozita e kryemjekut në departamentin e urologjisë.
Rruga jetësore dhe profesionale e Shalës, që e ka dërguar deri këtu, është e mbushur me sfida e suksese. Ndihet i lumtur që tani e ka përmbushur ëndrrën e rinisë. Dëshira e tij është që të kthehet në Kosovë dhe të ndihmojë shëndetësinë e këtushme, e cila ka ngecur parapa mjekësisë botërore në trajtimin e avancuar të sëmundjeve urologjike.
Në këtë drejtim, është duke menduar seriozisht “mjeku i burrave”, siç njihen ndryshe urologët. Specializimi i tij është trajtimi i tumoreve të prostatës dhe gurët në veshka. Mjekësia bashkëkohore u jep shumë përparësi mjeteve endoskopike, që nënkupton operim pa prerje.
Rexhep Shala është njëri nga shqiptarët e shumtë që në ato vite të vështira në Kosovë, u detyruan të marrin botën në sy për të siguruar ekzistencën e familjes, por është i vetmi ndoshta prej tyre që arriti të realizojë ëndrrën e tij dhe të bëhet një emër i njohur dhe i respektuar në mjekësinë gjermane. Por ëndrra e tij për të investuar vet në Gjilan e Kosovë është synim i tij.
/rajonipress/