Kush është Manushaqe Latifi?
Manushaqe Latifi e lindur në Gjilan, ish – nxënëse e Sh.M.E. “Marin Barleti” (Gjilan) ka përfunduar me sukses shembullor në vitin 2014, sistemin 4 vjeçar të drejtimit “Banka dhe Sigurime”. Më pastaj, studimet themelore në drejtimin “Banka, Financa dhe Kontabilitet” i vazhdoi dhe i përfundoi me sukses në vitin 2018, në Universitetin Publik të Gjilanit “Kadri Zeka”. Aktualisht ajo është duke i vazhduar studimet e nivelit master në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina”, në po të njëjtën fushë.
Duke qenë të shtyrë nga programi i shkollës për ndërlidhjen e mësimit teorik me praktikën gjatë shkollës së mesme, ajo mori pjesë nëprogramin e praktikës në Drejtorinë për Buxhet dhe Financa në komunën e Gjilanit dhe UKA Sh.
P.K. Nga aty, pati mundësi të krijojë një perceptim se si duket puna në praktikë dhe si mund t’i shfrytëzojmë aftësitë tona në punë.Më vonë, në vitin 2019 Manushaqja ishte pjesë e programit të praktikës si zyrtare për marrëdhënie me klientin / zyrtare për zhvillimin e biznesit në institucionin mikrofinanciar FINCA (dega në Prishtinë) për 4 muaj. Më pas, vazhdoi në OJQ-në GIZ Kosovo fillimisht si praktikante në Financa dhe Administrim, më pastaj nga dhjetori 2019 si bashkëpunëtore e jashtme në projektet: “Rinia, Punësimi dhe Aftësimi profesional” dhe “Zhvillimi i kapaciteteve në arsimin bazë”, ku vazhdon ende të jetë e angazhuar në këtë të fundit. Po ashtu, në këtë vit (2021) ka përfunduar me sukses angazhimin si hulumtuese në projektin” Vlerësimi i shërbimeve të qendrave të karrierës në shkollat AAP në Kosovë“ i realizuar nga kompania M4Success.
Që nga viti 2015 është anëtare e klubit “Rotaract Anamorava”, në të cilin kontribuon në përmirësimin e jetës së komunitetit përmes aktiviteteve dhe projekteve të ndryshme.
Duke qenë se trajnimet ndihmojnë në përgatitjen profesionale, ajo ka kryer trajnime të ndryshme dhe ka marrë pjesë në programe ndërkulturore, ku ndër më të rëndësishmet janë: Quickbooks Online, Rotary Youth Leadership Awards, Finca-Menaxhimi i klientëve, EvroTarget-Shërbime ndaj konsumatorit, Work and Travel USA, ndërtimi i CV-së dhe Letrës Motivuese, etj.
Ka njohuri shumë të mira të gjuhës angleze dhe njohuri elementare të gjuhës gjermane.