Kush është familja shqiptaro-amerikane nga Gjilani, e cila prej nipit e deri te gjyshja prioritet kanë shkollimin
Vana dhe Dibran Ramadani kanë 5 fëmijë së bashku dhe si familje gëzojnë një respekt të veçantë jo vetëm në komunën e tyre në Gjilan, prej nga e kanë origjinën, po edhe në Amerikë, në qytetin ku jetojnë prej disa vitesh, shkruan Mediafokus.info
Në Amerikë, në qytetin ku jetojnë, të 7 anëtarët e familjes Ramadani si dhe gjyshja e tyre Rexhije Jerliu, njihen si një familje e edukuar dhe e shkolluar.
Në shkollat kryesore të qytetit, 5 fëmijët e kësaj familje, për vite me radhe ishin shembull për t`u admiruar. Në muret e shkollave të këtushme, ata lanë gjurmë të përjetshme me
fotografi e medalje për suksese në garat e ndryshme të diturisë, por mbi të gjitha lanë mbrapa emrin Ramadani si shembulli më i mirë i një familje të edukuar e me një kulturë të veçantë, që të gjithë ia kanë lakmi.Të gjithë i njohin 5 fëmijët e familjes Ramadani, të cilët arritën të bëjnë emër për së miri në një qytet me mbi 146 mijë banorë. Me vite, një nga fëmijët e saj mori pjesë në garat e ndryshme të diturisë, duke prezantuar shkollën, komunën, po edhe shtetin Illinois dhe duke arritur sukseset më të larta.
Përpos suksesit në shkollë, ata admirohen për sjelljet shembullore, gjë që i bëjnë krenarë edhe prindërit. Nëna Vana thotë se nuk ka krenari më të madhe se kur merr komplimente, si “lum si ju çfarë fëmijë keni rritur’, ose ‘si ka mundësi të kesh 5 fëmijë dhe të gjithë të jenë kaq të mrekullueshëm, kaq të suksesshëm…”.
‘Fëmijët janë pasuria ime që nuk krahasohet me asnjë thesar”, thotë Vana për Mediafokus.info
Tani 5 fëmijët e familjes Ramadani kanë bërë emër në universitetin shtetëror të guvernatorëve në Chicago, ku pjesë e këtij suksesi janë edhe dy prindërit e tyre, Vana dhe Dibrani.
Dibrani është magjistër i shkencave politike dhe i drejtësisë, magjistër i studimeve të varësive, magjistër i administratës publike dhe aktualisht vijon studimet e magjistraturës së katërt – menaxhimi i punëve sociale.
Kurse Vana është magjistër i studimeve të varësive, shëndeti mental, magjistër i drejtësisë penale dhe vazhdon studimet në magjistraturën e tretë – menaxhimi i punëve sociale.
Familja Ramadani është pjesë e shoqërisë së nderit, student shembullor me notë mesatare mbi 9.5. Është fituese e shumë bursave dhe çmimeve të ndryshme. Ata janë pjesë e listës së studentëve më të mirë të universitetit. Janë anëtar të shumë klubeve intelektuale në drejtime të ndryshme. Janë nderuar disa herë deri tani për merita të ndryshme universitare.
Vana tregon se familja e saj gëzon një respekt të madh në këtë universitet dhe se ata njihen si familja “The Ramadani’s”.
Kjo familje zotëron mbi 50 medalje dhe çmime, që janë vlerësime për dituri.
‘Është kënaqësi kur sheh në Akademinë e Filmit dhe Artit emrin e djalit Deartit tani e disa muaj, por edhe emrin e tij si zëvendës president i kësaj Akademie’, thotë Vana.
Djali i madh i familjes, Donati tani përfundon nivelin bachelor në shkencat politike dhe drejtësi dhe do të vazhdojë me magjistraturë në drejtësi penale.
Dearti, djali i dytë është student i Akademisë së Filmit dhe Arteve.
Doriani, djali i tretë është duke studiuar psikologjinë dhe vijon studimet në Akademinë për Muzikë dhe Media Digjitale.
Kurse dy vajzat binjake, Dorina e Dorela vazhdojnë me planet e tyre për studime në shëndetësi.
Pjesë e familjes Ramadani, është edhe nëna e Vanës, Rexhije Jerliu, e cila jeton në SHBA prej më shumë se dhjetë vitesh, që prej vdekjes së bashkëshortit, Xhavitit.
Edhe Rexhije ka qenë e dashuruar gjithnjë pas shkollës, të cilën nuk kishte mundur ta kryente në kohën e saj. Këtë merak, ajo ia kishte shprehur përherë të bijës Vanës, duke i thënë se sa me fat ishte ajo që kishte mundur të shkollohej.
Ne fakt, ajo ishte një përkrahëse e madhe e së bijës për shkollimin e saj, vijon shkrimi i Mediafokus.info
Duke e ditur këtë dëshirë të nënës, Vana kishte përgatitur një befasi për të që rrallëkush mund ta bëjë për një grua që nuk fliste fare gjuhën angleze.
Ajo kishte folur me kolegjin në komunën ku jeton familja Ramadani dhe ua kishte shpjeguar ëndrrën e nënës së saj. U kishte treguar po ashtu administratës së kolegjit se nëna nuk e kishte fatin që të vazhdonte shkollimin, por ëndrrën kurrë nuk e kishte ndërprerë.
Kolegji kishte vendosur të plotësonte dëshirën e një gruaje që nuk fliste asnjë fjalë në gjuhën angleze dhe sapo kishte shkruar atje nga Kosova, për të filluar një jetë të re në SHBA.
Rexhija i filloi studimet në kolegj, në nivelin fillestar të gjuhës angleze.
Vana përjetoi një ndjenjë të mrekullueshme ditën kur nëna e saj nisi studimet. Ajo e vizitonte nënën në kolegj me plot krenari. Rexhija shkonte e lumtur në ligjërata për të mësuar gjuhën dhe pati edhe një surprizë nga një profesoreshë e saj.
Profesoresha kryesore e klasave të Rexhijes, pas disa muajve që kishte filluar ligjëratat, i bëri Rexhijes një dhuratë dhe bashkë me të edhe një letër.
Dhurata ishte një shami e bukur, kurse në letër profesoresha kishte shkruar se sa e lumtur dhe krenare ishte ajo që kishte pasur mundësinë të njihte Rexhijen, që kishte një vullnet të paparë për të mësuar dhe se sa e lumtur ndihje që ishte bërë pjesë e një dëshire të plotësuar të një gruaje, e cila në vendin e saj nuk kishte pasur mundësi të shkollohej.
Në fakt e gjithë klasa e admironin Rexhijen. Ajo ishte më e madhja me moshë dhe ishte e vetmja që kur filloi ligjëratat, nuk dinte asnjë fjalë në gjuhën angleze, por shumë shpejt u bë pjesë e aktiviteteve dhe e diskutimeve.
Administrata e kolegjit shpesh kishin folur me Vanën se sa të lumtur ishin që kishin plotësuar dëshirën e Rexhijes, po aq sa ishin krenar me vullnetin e saj për të mësuar.
Rexhija kreu vetëm nivelin e ulët të gjuhës angleze dhe nuk vazhdoi tutje, por me rëndësi që dëshira e saj për shkollën u plotësua në SHBA.
Vana thotë se në familjen e saj gjithnjë ka qenë dhe do të jetë prioritet shkollimi, edukimi dhe mirësjellja.
Pavarësisht se jeton në Amerikë, familja Ramadani është shumë e lidhur me Kosovën. Të gjithë fëmijët flasin mirë gjuhën shqipe dhe kanë dëshirë të madhe që të kontribuojnë në të ardhmen në Kosovë.
Vana, një grua dhe aktiviste e njohur për publikun në Kosovë, me opinione dhe projekte humanitare, shpeshherë pyetet nga njerëzit, atje e këtu, pse nuk i ndahet shkollimit edhe pas kaq titujsh shkencorë që ka.
Përgjigjja e saj është kjo: Dija kurrë nuk është tepër.
(Për arsye të ruajtjes së privatësisë, shkaku që disa anëtarë nga kjo familje mbajnë punë qeveritare në SHBA dhe duke respektuar kërkesën e tyre, nuk kemi përmendur emrat e shkollave dhe as të komunës ku jetojnë).