“Kur vdekja trokiti në dyert tona, fillimisht nuk besonim se çfarë na kishte ndodhur”
Kardiologu gjilanas Besim Guda e ka kujtuar me shumë ndjeshmëri vëllain e tij Bekimin, në njëvjetorin e vdekjes.
Një vit i gjatë e i rëndë pa ty vëlla! Si sot, si para një viti, dhembja na shtrydh zemrën e na rëndon shpirtin. Sa lot kemi derdhur e sa do të vazhdojmë të qajmë.
Kur vdekja trokiti në dyert tona fillimisht nuk besonim se çfarë na kishte ndodhur. Nuk donim të besonim. Ne ishim të rinj dhe kishim para vete një jetë të tërë.
Por nuk pyeteshim ne, është makina e fatit dhe labirintet e jetës ato që vendosin për ne, dhe ato vendosëntë të marrin Ty e të dërgojnë në një botë pa kthim,
e neve të mbesim të trishtuar e mërzitur në pjesën e jetës që na ka mbetur.Të gjithë me radhë, familja, miqtë e shokët ndanë dhembjen aq sa u takon e u bie hise. Të gjithë pa dallim shprehnin hidhërimin dhe trishtimin që ndjenin.
Dhembja që pësuam ishte më e rëndë se pesha e një mali, dhembje kjo që edhe më tutje rëndon në zemrat tona.
Se thonë kot, njeriu më i fortë se guri.
Oborri ynë dikur i mbushur me të qeshura, tani ka ra në heshtje. Kohë pas kohe dëgjohen zhurmat e ca fëmijëve të lagjes që aty lozin të shkujdesur. Ndërsa ne vështrojmë nga dritarja të larë në lot.
Sa herë që shoh nga dritarja pres të shoh Ty, por e kot, Ti nuk po kthehesh.
Mida, Linda, Zana, Ema, Blendi, Unë, Cana, Fitimi dhe gjithë të tjerët e oborrit gazmor tani kemi heshtur. Vdekja jote na ka këputur fare!
Vëlla Bekim, sa e rëndë me shkru për Ty. Sa shumë dhimbje. Nuk e vazhdoj dot! Qofsh i parajsës vëlla!