Kosova në përgatitje të pasaportës digjitale COVID-19
Certifikatat digjitale COVID-19 të shteteve të miratuara nga Komisioni Evropian, njihet nga Republika e Kosovës, por vetë ende nuk është pjesë e sistemit digjital të këtyre cerifikatave.
Zyrtarë të Ministrisë së Shëndetësisë bënë të ditur se janë duke punuar ngushtë me përgjegjës të Komisionit Evropian, që të pranohet certifikata edhe për qytetarët e imunizuar të Kosovës.
Certifikata digjitale COVID-19 është brenda Bashkimit Evropian që nga 1 korriku 2021. Kjo certifikatë u mundëson qytetarëve të BE-së të lëvizin lirshëm në 27 shtetet e bllokut evropian, nëse janë të vaksinuar me vaksinat e autorizuara nga Agjencia Evropiane e Barnave (EMA).
Procesi i imunizimit të popullatës
në Kosovë ka nisur në muajin mars dhe deri më tani, rreth 400 mijë qytetarë janë vaksinuar me dozën e dytë kundër koronavirusit. Të vaksinuarit në Kosovë pajisen me kartelë vaksinimi për COVID-19.Krahas kësaj kartele me QR kod (që identifikon statusin rreth vaksinimit), Republika e Kosovës ka dizajnuar edhe certifikatën digjitale për lëvizje të lirë në shtete të ndryshme, thuhet në përgjigje të Ministrisë së Shëndetësisë. Kjo është aprovuar nga Komiteti për imunizim kundër COVID-19 në Kosovë dhe është duke punuar ngushtë me akterët përkatës të Komisionit Evropian, duke ndjekur procedurat përkatëse, në mënyrë që e njëjta të pranohet, thuhet në përgjigje.
Çdo procedurë që kërkohet nga Komisioni Evropian do të plotësohet me qëllim që certifikata digjitale e Kosovës të njihet. Në përgjigje të MSH-së po ashtu thuhet se disa çështje janë jashtë ndikimit të ministrisë, por që ky institucion do të përmbushë përgjegjësitë e veta, që i takojnë sa i përket kësaj certifikate, në raport me palët e jashtme.
“Përgjegjësitë e Ministrisë se Shëndetësisë janë të dizajnojnë cerifikatën sipas kritereve të Komisionit Evropian dhe të përmbushë standardet që ky dokument duhet t’i ketë, normalisht, të kërkojë dhe avokojë sa më shumë që ka mundësi te KE-ja, që certifikata të njihet sa më parë që ka mundësi”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë së Shëndetësisë. /REL/
Nga vendet e rajonit, Komisioni Evropian, të mërkurën ka miratuar certifikatën digjitale të vaksinimit për Shqipërinë, kurse më 20 gusht, në sistemin digjital të certifikatave, është pranuar edhe Maqedonia e Veriut. Certifikata digjitale lëshohet pa para dhe është në formë të shtypur si dhe format digjital dhe do të ketë validitet deri në një vit. Certifikata ka një QR-kod me informacione, si emri, data e lindjes, shteti që e ka lëshuar këtë dokument, lloji i vaksinës (ose dëshmia për ndonjë imunitet) dhe kur mbajtësi i kësaj certifikate është vaksinuar.