Korona zvogëlon jetëgjatësinë – studimi i Universitetit të Oksfordit
Virusi Covid-19 shoqërohet me shumë të panjohura. Sipas një studimi, jetëgjatësia në shumë vende të Evropës Perëndimore ka shënuar rënie në kohën e pandemisë. Madje, kjo rënie është më e ndjeshmja që nga Lufta e Dytë Botërore.
Në disa vende rritja e jetëgjatësisë, e arritur viteve të fundit, është shkatërruar në një kohë të shkurtër, raportojnë studiuesit nga Qendra Leverhulme për Shkencën Demografike në Universitetin e Oksfordit në “International Journal of Epidemiology”.
Rënia te burrat ishte më e madhe se te gratë.
Shkencëtarët kanë ekzaminuar të dhëna nga 29 vende, shumica prej tyre nga Evropa, përfshirë Gjermaninë, por edhe Kilin dhe SHBA-në.
Në vitin
2020 jetëgjatësia ka rënë në përgjithësi në 27 nga këto vende, ndërsa në 22 sosh rënia ka qenë për gjysmë viti.Jetëgjatësia e meshkujve ka rënë më së shumti në SHBA, për 2.2 vjet në krahasim me vitin 2019, përcjell albinfo.ch. Në SHBA, rritja e vdekshmërisë së njerëzve në moshë pune nën 60 vjeç është veçanërisht me peshë, është shprehur bashkautori i studimit, Ridhi Kashyap.
Në shumicën e vendeve evropiane, nga ana tjetër, vdekshmëria është rritur veçanërisht midis personave mbi 60 vjeç.
Jetëgjatësia është mosha që një i porsalindur ka gjasa të arrijë nëse numri i vdekjeve vazhdon të zhvillohet siç ka qenë kur ai ka lindur. Në vendet e Evropës Perëndimore, si Spanja, Anglia dhe Uellsi, Italia, Belgjika, një rënie e tillë e jetëgjatësisë brenda vetëm një viti për herë të fundit është shënuar gjatë Luftës së Dytë Botërore.