Kjo vajzë nga Kosova do të jetë së shpejti doktoreshë në universitetet zvicerane
Shkurta Gashi është shqiptarja nga Kosova, e cila ka një përvojë të pasur profesionale. Tani më është në prag të doktorimit për informatikë në “Università della Svizzera italiana (USI)” në Lugano të Zvicrës.
Ajo është e lindur dhe rritur në Prishtinë, ndërsa tani është një bërë emër suksesi në Zvicër, ku ligjëron dhe bën hulumtime në fushën e “Mobile computing” dhe “Personal informatics systems”, shkruan albinfo.ch.
Më saktë, është kandidate për doktoratë në “Università della Svizzera italiana (USI)” dhe njëkohësisht asistente ligjëruese në po të njëjtin universitet.
Shkurta ka filluar shkollimin e saj në vendlindje, në Prishtinë, më pas, studimet i ka vazhduar
në Greqi dhe Zvicër.Studimet e suksesshme në Greqi, i hapën mundësi të re për të vazhduar studimet e Zvicër, në një rrafsh tjetër të nivelit studimor, akademik.
Ka 6 vjet që Shkurta jeton dhe vepron në Zvicër. Qëndrimi në Zvicër, përgjatë këtyre viteve, ka ndikuar shumë në ngritjen e saj si në aspektin profesional, ashtu edhe të jetës në përgjithësi.
Për një kohë të shkurtër do të doktorojë në “Università della Svizzera italiana (USI)”, aty ku edhe është asistente ligjëruese.
‘Si hulumtuese ndihmoj në zhvillimin e teknologjive dhe sistemeve të reja që kanë për potencial të ndryshojnë shoqërinë tonë. Si shkencëtare e të dhënave, mundohem të nxjerr informata sa më të mira dhe sa më të sakta nga një sasi e madhe e të dhënave që ne si individë i gjenerojmë gjatë aktiviteteve ditore, të cilat ndihmojnë të kemi një jetë të shëndetshme fizike dhe mendore”, shprehet ajo.
Shkurta po ashtu ishte pjesë e shumë konferencave në botë, si Singapor, Japoni, Greqi, Qipro, Angli, Finlandë, duke njohur hulumtues në fushën e Informatikës që punojnë në universitete me renome botërore dhe në kompani të mëdha të teknologjisë, si Intel, IBM, Microsoft.
Shumë herë dëgjojmë se ambientimi në Zvicër, me kulturën dhe shoqërinë që ka, është një sfidë te pothujse të gjithë shqiptarët.
Rasti i Shkurtës nuk është i tillë. Ajo ka treguar se studimet në Greqi e kanë ndihmuar shumë ambientimin dhe, më pas, edhe jetesa për një periudhë kohore me një grua zvicerane, e kishte ndihmuar aq shumë, sa që edhe shoqëria që tani shumica janë zviceranë.
Zvicra njihet si një ndër vendet me cilësi të lartë të arsimit. Shkurta tani është duke bërë përgatitjet përfundimtare për të doktoruar. Ajo në mënyrë të detajuar tregon temën e doktoraturës.
“Tema ime e doktoratës fokusohet në dizajnimin dhe implementimin e sistemeve dhe algoritmave automatike që detektojnë veprimet dhe sjelljet e njerëzve në jetën e përdishtme, duke i përdorur të dhënat nga senzorët që gjenden në pajisjet personale (si p.sh., telefona, orë apo dëgjuese të mençura). Në laboratorin tonë kemi zhvilluar metoda që përdorin të dhënat nga orët e mençura si rrahjet e zemrës, aktivitetit elektrodermal, temperaturën e trupit dhe lëvizjeve të trupit, për të detektuar nëse përdoruesi i orës është duke fjetur ose zgjuar, është i stresuar apo i relaksuar, nëse është i vëmendshëm gjatë orës mësimore ose jo, etj. Për shembull, gjumi është një proces thelbësor në jetën tone, sepse nëse bëjmë gjumë të mirë dhe të mjaftueshëm, ne performojmë shumë më mirë në punë, kemi memorie dhe koncentrim më të lartë, si dhe shëndet fizik dhe mendor më të mirë. Sistemet që u lejojnë njerëzve të përcjellin gjumin çdo ditë u ndihmojnë mjekëve dhe njerëzve në përgjithesi që të detektojnë problemet eventuale shëndetësore shumë më herët dhe të intervenojnë me kohë, në mënyrë që të shmangen këto probleme”, bën të ditur ajo.
Shkurta është edhe fituese e shumë çmimeve të rëndësishme arsimore. Ajo përveç hulumtimeve, ka ndjekur edhe shumë trajnime të rëndësishme për profesionin që ajo e ushtron. Së fundmi, Shkurta është finalistja pretendente për çmimin “Gaetano Borriello Outstading Student Award”.
Përveç kësaj, ajo tregon se në një të ardhme të afërt do të bëjë një vizitë për hulumtime në “Nokia Bell Labs” në Angli.
“Së fundmi kam filluar një bashkëpunim me laboratorin “Nokia Bell Labs në Cambridge” të Britanisë së Madhe. Qëllimi i këtij bashkëpunimi është që të zhvillojmë një metodë automatike që të detektojmë sa energji fizike kemi në fillim të ditës, duke përdorur të dhënat nga sensorët që gjenden në dëgjuese për vesh. Po, pra, dëgjueset për vesh, sikurse telefonat dhe orët e mençura, mund të kenë më shumë potencial përveç dëgjimit të muzikës. Zhvillimet e fundit në teknologji kanë shfaqur se këto pajisje mund të përmbajnë një seri të ndryshme të senzorëve që matin rrahjet e zemrës si dhe lëvizjen e trupit të përdoruesve të tyre. Prandaj, qëllimi i këtij projekti është të shfaqim potencialin e dëgjueseve për të shkuar përtej funksioneve “të limituara” që jemi mësuar deri më tani.
Shkurta është shumë e lidhur me Kosovën dhe zemra i rreh ndryshe kur prek tokën e Kosovës, atje ku jetojnë shumë familjarë të saj dhe shoqëria. “Me Kosovën jam e lidhur shumë, sepse atje e kam familjen dhe shoqërinë e ngushtë. Zakonisht e vizitoj Kosovën 3-4 herë në vit. Dy vjetët e fundit kanë qenë më problematike për shkak të pandemisë dhe jam munduar të lëviz sa më pak, mirëpo në kushte normale mundohem të jem sa më shumë prezente në Kosovë, sidomos në data të rëndësishme”, tregon Shkurta.