“Kishte mbi 80 mijë franga me vete e tre telefona”, Prokuroria del me detaje për biznesmeni gjilanas që u gjend i vdekur
Prokuroria Themelore në Gjilan ka dalë me detaje të reja në lidhje me rastin e një 66-vjeçari, i cili u gjet i pajetë në bodrumin e një ashensori në një ndërtesë në rrugën Gjilan-Kamenicë.
Sipas prokurorisë, i njëjti ishte raportuar më 09 Janar 2024 si person i humbur, ndërsa është gjetur pa shenja jete më 26 Shkurt 2024.
“Në datën e lartcekur, rreth orës 22:45 minuta, nën ashensorin e një objekti banesor në Gjilan është gjetur pa shenja jete tani i ndjeri M.H. (1958), në të cilin objekt i njëjti ka banuar”, thuhet në njoftimin për media.
Tutje, bëhet e ditur se pas raportimit si person i humbur, dyshimet e para kanë qenë në drejtim të veprës penale ‘Rrëmbimi’, pasi i njëjti pas lirimit nga qendra e paraburgimit në Lipjan, më 09 Janar 2024, kishte pasur me vete 86 mijë e 250 franga zvicerane.
“Prandaj, Prokuroria Themelore në Gjilan ka marrë aktvendim për fillimin e hetimeve në drejtim të kësaj vepre penale dhe veprime të shumta hetimore. Pas gjetjes së personit të zhdukur, në çantën e tij është gjetur edhe shuma e lartcekur e të hollave prej 86 mijë e 250 franga zvicerane, si dhe 350 euro, tre telefona mobil dhe sende tjera personale”.
Prokurori i shtetit thuhet se ka dhënë urdhër që trupi i pa jetë i të ndjerit të dërgohet për autopsi në Institutin e Mjekësisë Ligjore. Po ashtu, janë angazhuar ekspertë nga fakulteti teknik, me qëllim të ekspertimit të funksionalitetit teknik të ashensorit, janë bërë urdhëresa për ekzaminimin e telefonave dhe janë ndërmarrë veprime tjera hetimore. /Gazeta10/