Këta ishin disa nga mësimdhënësit e parë në Gjilan
Mësimdhënës të parë ishin Nevruz Nura, Tasim Sylejmani, Kurtesh Ahmeti, Nijazi Fehmiu, Ekrem Gjinolli, Ali Bajrami (Gjakovë), Kefsere Mahmuti, Sadullah Brestovci, Vehbi Orana, Mehmet Kurteshi, Shefqet Bërlajolli (Pejë), Tahir Z. Berisha, Behxhet Arapi dhe të tjerë. Më vonë erdhën Rashit Gashi, Ruzhdi Ushaku, Ferat Rexhepi, Misim Avdiu, Reshat Ramadani, Abdylaziz Veseli, Muzafer Gjinolli, Emrush Haliti, Zijadin Munishi, Jashar Jashari, Haxhi Vokshi, Ajshe Gashi, Qemajl Halimi, Hamzë Halimi, Adem Meshina, Xhemail Pllana dhe të tjerë.
Se gjimnazi ishte themeluar si shkollë për serbët, këtë e dëshmojnë edhe dokumentet arkivore. Tefik Selimi (tani i ndjerë), ish-profesor i kësaj shkolle, ku i kaloi mbidyzet vjet punë,
kishte gjetur të dhëna që dëshmojnë se në vitin e parë të punës, gjimnazi kishte 57 nxënës serbë dhe asnjë shqiptar.Nxënësit e parë shqiptarë, me mësim në gjuhën serbe, sipas shënimeve arkivore, ishin Adem Devaja, që ishte i vetëm në një klasë, Hysen Selimi e Zija Devaja, në një paralele tjetër.
Në gjimnaz e ka ndjekur shkollimin edhe poeti Rexhep Elmazi, një nxënës shumë i zgjuar, më i miri mes shokëve. Profesori Dragolub Cvetkoviq, një shovinist i madh, në bashkëpunim me gruan e tij, Bllagicën, që mbante lëndën e Filozofisë, Rexhep Elmazin dhe ndonjë tjetër nxënës shqiptarë i kishin ngelur në klasë. Thuhet se Cvetkoviq i ishte hakmarrë Elmazit për shkak se i kishte bërë vërejtje për mënyrën e vlerësimit të nxënësve.