Kështu e rikujton ambasadorin e veshjes tradicionale kombëtare nipi i tij
Sot, po me këtë datë, 14 tetor 2021, bëhen 3 vite nga dita kur gjyshi, prindi, bashkëshorti e qytetari i Gjilanit kaloi në përjetësi, duke u kthyer përgjithmonë te Zoti i Madhërishëm.
Gjyshi Ismajl Sefë Sherifi lindi me 1 tetor 1941 në fshatin Vërbicë e Zhegocit, komuna e Gjilanit, në një familje të shquar me vlera të larta morale, kombëtare e fetare. Ai ishte fëmija i tretë i prindërve Sefë e Shahadije Sherifi.
Vështirësitë e jetës për të fillojnë qysh kur ishte fëmijë, sepse në kohën kur më së shumti i nevojitej përkujdesja e prindit, Ismaljit i vdes babai gjatë Luftës së
Dytë Botërore, në vitin 1945, në Knin të Kroacisë.Vdekja e prindit ishte goditje e madhe në familje, një mungesë dhe pengesë e rëndë veçmas për Ismajlin, i cili duhej të përballej vetë me sfidat e jetës.
Ai gjeti forcë dhe kurajë për të ecur përpara dhe me përkrahjen e nënës Shahë, arriti të bëhet jo vetëm një burrë shtëpie, por edhe një burrë odash e pajtimtar i rrallë në malësi e më gjerë.
Ismajli pas mbarimit të shkollimit fillor, merret me punët e fshatit, me bujqësi, tregti dhe bagëti.
Pavarësisht kushteve në të cilat u rrit si fëmijë, ai arriti të dallohej me virtytet e tij larta njerëzore, bujar, fisnik e urtar, i sinqertë dhe i dashur, sjellshëm dhe i ndershëm me të gjithë.
Meqë qysh si fëmijë i mbeti barra e kujdesi i familjes, Ismajli me fanatizëm e shumë dashuri për traditën kombëtare, pjesë të veshjes së tij të përditshme, për më tepër stil të individualitetit dhe identitetit të vetë i bëri plisin, tirqit me shokë, sahatin me qostek.
Gjyshi, qysh si fëmijë u dallua me tiparet e burrërisë, i mençur, mendjemprehtë, i urtë, trim, burrë i odës e i besës shqiptare. Ai ishte i dashur me të gjithë, familjen, fisin, lagjen, fshatin dhe me ata që u rrethua, pa dallim moshe, gjinie e përkatësie.
Ismajlit nuk iu ndanë sfidat e jetës. Gjatë luftës së fundit në Kosovë, i vritet vëllai Sherif Sherifi, ish-minator në Artanës (Novobërdë) i cili bie dëshmor më 15 prill 1999, në betejën e Zhegocit.
Ismajli plagoset, por fatmirësisht i shpëton plagëve, duke i kthyer shpinën fshatit dhe marrë rrugën e refugjatit.
Ismajli e kishte shumë të zhvilluar kujtesën afatgjate, me një fjalë ishte arkiv i shumë ngjarjeve e ndodhive nëpër të cilat kaloi kombi ynë.
Dinte shumë për historinë e heronjve tanë, arsimdashësve të parë, rilindësve tanë, për vuajtjet e sakrificën e të përndjekurve për liri e pavarësi, që nga viti 1948 e deri në ditët e fundit, sa ishte gjallë.
Ismajli ishte një burrë i urtë, me një humor të këndshëm, ashtu që kudo që gjendej, dinte të hapte debate, të krijonte atmosferë e afërsi me njerëzit tjerë, pa lënduar askënd.
Fliste rrjedhshëm e me një elegancë të pashoq, mbi të gjitha kishte të zhvilluar aftësinë e të dëgjuarit me vëmendje e përkushtim, qoftë edhe një hall fëmije.
Ismajli, siç e njohin rrethi e malësia, qyteti e më gjerë, ishte një pajtimtar i shumë ngatërresave e mosmarrëveshjeve të natyrave të ndryshme në familjet shqiptare.
Ishte pleqnar i lindur, garantues e ndërmjetësues i fjalës dhe besës në shumë pajtime vrasjesh apo ngatërresash të ndryshme. Falë urtësinë e mendjemprehtësisë së tij, u ndaluan dhe u mbyllën shumë vëllavrasje e hakmarrje ndër shqiptarë.
Ismajl Sherifi ishte po ashtu është një nga 100 pleqtë e intervistuar nga projekti i Bibliotekës Kombëtare, i mundësuar nga Ministria e Kulturës dhe Ambasada Amerikane në Kosovë, ku ai rrëfen për të kaluarën tonë kombëtare, traditën, veshjet, zakonet, dasmën shqiptare, ritet e vdekjen e çdo gjë që kishte të bënte me të kaluarën shqiptare.
Kishte një stil unik të veshjes si rrallëkush tjetër, me plis të bardhë, tirq e shokë, sahat e qostek, qelibar e kuti fakfuni. Hije i kishte vendi kur ulej këmbëkryq në qilim dhe ndezte duhanin.
Ishte i dashuruar pas kostumit kombëtar deri në fanatizëm dhe me shumë dashuri e mbante veshur atë.
Shquhej për elokuencë në të folur, për pastërti në dukje, për pedanteri, për një veshje prej zotërie, me qëndrim të drejtë, me kokën lartë dhe me një hap që mund ta kishte lakmi secili që e shihte dhe takonte.
Me gjithë këto vlera, tipare e karakteristika, ai i jepte emër dhe vlerë lagjes, fshatit, qytetit, xhamisë e ngado e kudo që shkonte e ku shkelte këmba e tij.
Ismajli vdiq në Gjilan, pranë familjes, më 14 tetor 2018, në moshën 78-vjeçare, pas një sëmundje të rëndë, duke lënë pas vetes bashkëshorten, djem e vajza si dhe një ‘kallaballëk’ nipa e mbesa.
Dhe unë si njëri nga nipat e tij, mund vetëm ta falënderoj gjyshin për dashurinë e pashoq, për përkujdesjen, për uratat e këshillat e tij të arta, falë të cilave ne jemi sot ku ai dëshironte të na shihte.
(Vitet shkojnë, por dashuria e malli për ty, gjysh, sa vjen e shtohet për të gjithë neve. Zoti të pastë mëshiruar me xhenetin e tij. Pusho atje në paqen e Zotit mëshirëplotë. Nipi yt)
Blerim Sherifi