Kastriot Sahit Baftiu (24.11.1983 – 16.4.1999)
Kastriot Baftiu ishte nxënës i klasës së parë në gjimnazin e Gjilanit. Ishte nxënës shembullor. E vranë në Betejë të Zhegocit më 1999. Kastriot Baftiu u lind më nëntor të vitit 1983 në Prishtinë. Më vonë, ai shkollimin tjetër e bëri në shkollën fillore “Selami Hallaqi” në Gjilan. Pastaj regjistrohet në gjimnazin “Zenel Hajdini” të Gjilanit. Ishte nxënës shembullor në drejtimin e shkencave matematikore. E deshi shkollën, librin. Hartimet e tij shkollore ishin përplot figura mendimesh, figura fjalësh. Dhe, 16 prilli i vitit 1999, ishte një ditë më e dhimbshme për familjen Baftiu. Barbaria serbe erdhi në Zhegoc dhe luftoi dy ditë me luftëtarët e lirisë. Ai ra në altarin e lirisë, por shembëlltyra prej shkollari të pjekur nuk do të harrohet. Atë ditë, bjeshkët e Zhegocit dhe atyre përreth morën vajin dhe gjëmën e dhimbjes. “Por, liria nuk fitohet lehtë, ajo fitohet me gjak”, pati shtuar Kastriot Baftiu dhe vijon: “A ka më mirë se njeriu të vdesë për liri?!” Dhe, në reshtat e parë të hartimit të tij, ai shtoi: “Fjala liri është fjalë shumë e dashur, shumë e ëmbël. Lirinë nuk ta falë askush, por për ta fituar atë duhet sakrifica. Tani do të shkruaj për veten dhe popullin tim që momentalisht është i robëruar dhe i mungon liria. Kur e shqiptoj fjalën liri, sikur diçka më afrohet dhe është afër nesh, dhe se kjo do të vij shpejt…”Këto ishin fjalët e tij të shkruara në hartimin me titullin: “Liria nuk falet, por fitohet me sakrifica të mëdha”, të datës 11.XII.1987. Pa e mbaruar vitin e parë të gjimnazit, Kastrioti u nda nga shkolla e nga shokët e tij të jetës.