Kardiologia e QKUK-së shpallet “Shkencëtare e vitit” nga Ministria e Arsimit
Kardiologia Dr. Ibadete Bytyçi nga Drenasi është fituese e çmimit “Shkencëtari i vitit” kurse Fjolla Kaçaniku atë të “Shkencëtari i ri i vitit” për vitin 2021, çmime këto të ndara nga Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit.
Ministrja e MAShTI-t, Arbërie Nagavci tha se ndjehet e lumtur pasi ky çmim për herë të parë po ndahet për dy zonja.
Ajo premtoi buxhet e më shumë kushte për shkencëtarët, në mënyrë që ta kryejnë punën e tyre.
“Mbështetja do të jetë e plotë me buxhet dhe kushte të nevojshme që krijuesit tanë të kryejnë punën e tyre në mënyre sa më të mundshme.Sot jemi me këtë aktivitet tradicional për hulumtuesit tanë që ta plasojnë punën e tyre aty ku zënë vend dija.
Me kënaqësi shpallim zonjën Ibadete Bytyçi shkencëtare të vitit dhe Fjolla Kaçaniku”, tha Nagavci.Kryesuesi i Këshillit, profesori Shyqyri Kelmendi tha se për here të parë në mënyrë solemne dhe publike pranuan shpalljen e dy laureatëve të shkencës kosovare. Ai kërkoi më shumë buxhet për nxitjen e shkencëtareve të rinj në këtë fushë. “Norma e cila është 0.7 për qind nga buxheti i Kosovës është normë e ulët dhe duhet të ngritët për stimulim. Vitet e shkuara ky aktivitet ka kaluar pa u vërejt shumë. Shpresoj që çdo vit do ta festojmë shpalljen e shkencëtareve të rinj dhe të vitit. Të jesh shkencëtarë do të thotë të merresh me një veprimtari të veçantë. Dhe në fund me teorinë shkencorë të mbështetësh ato konkluzione”, tha ai.