Ish-ministri Bajram Hasani që u turpërua në Bruksel pasi s’diti të lexojë anglisht, boton librin “Manaxhimi dhe marketingu bankar, rasti i Kosovës”
Ish-ministri i Tregtisë dhe Industrisë, afaristi Bajram Hasani, i dënuar nga Gjykata Themelore për me dy vite e gjysmë për veprën penale – keqpërdorim i pozitës zyrtare ka njoftuar se ka nxjerr në botim librin më të ri “Manaxhimi dhe marketingu bankar (Rasti i Kosovës)”.
“Një tjetër gur themeli në karrierën time akademike, profesionale dhe institucionale! Me kënaqësi ju prezantoj librin tim më të ri: ‘Manaxhimi dhe Marketingu Bankar (Rasti i Kosovës)’”, ka shkruar Hasani në “Facebook”.
Ndryshe, Hasani gjatë vitit 2018, atëkohë si ministër i Tregtisë dhe Industrisë e kishte gjetur vetën në një situatë tejet të sikletshme kur në Komisioninpër Udhëtime – organizatë që promovon turizmin në Europë – nuk kishte ditur ta lexojë fjalimin e tij në gjuhën angleze.
Bajrami ka filluar të lexojë në shqip, por drejtori ekzekutiv i ETC, Eduardo Santander, pati kërkuar nga Hasani që ta thotë fjalimin e tij në një gjuhë tjetër, pasi nuk ka pasur përkthim nga gjuha shqipe.
“Kam frikë se nuk ka përkthim nga shqipja, prandaj a do të mund të flisnit mbase në anglisht, apo në një nga gjuhët tjera zyrtare”, ka thënë Santander.
Ministri e ka pasur fjalimin e tij të shkruar në anglisht, por megjithatë nuk ka arritur ta lexojë vet. Në ndihmë i kishin ardhur disa delegatë të tjerë të cilët janë munduar që ta lexojnë fjalimin për ministrin.
Ndërkaq në muajin korrik të vitit të kaluar, Gjykata Themelore e Prishtinës, e kishte shpallur fajtor për veprën penale – keqpërdorim i pozitës zyrtare ish-ministrin Bajram Hasanin dhe e pati dënuar me dy vite e gjysmë burgim. /Zerogjashtë/.