Ish-gjyqtari Nexhmedin Bunjaku kujton futbollin nën “pendrekun” serb

 Ish-gjyqtari Nexhmedin Bunjaku kujton futbollin nën “pendrekun” serb

Ndalimi ishte pësimi më i vogël të luaje futboll në Kosovën e pushtuar nga Serbia. Pësimet e mëdha ishin arrestimi, rrahja e ofendimi. Të luaje futboll në Kosovë asokohe ishte sikur të bëje ndonjë krim dhe Policia serbe vazhdimisht ishte e angazhuar për moslejimin e ushtrimit të futbollit po edhe të sporteve të tjera. 

Kjo qasje e zbatuar nga Serbia ishte nga data 13 shtator e vitit 1991, kur futbolli i Kosovës u organizua ndaras nga ai i Jugosllavisë së prishur e deri në vitin 1998, kur vendi u përfshi në luftë të armatosur dhe nuk kishte kushte për futboll.Nexhmedin Bunjaku, një gjyqtar futbolli në Kosovën e paraluftës, sot me rastin e Përvjetorit të gjashtëmbëdhjetë të Kosovës shtet, ka kujtuar sakrificën e të marrurit me futboll në vitet e nëntëdhjeta.

Ai kishte qenë duke e ndarë drejtësinë në një nga ndeshjet nëpër terrene të improvizuara si fusha, kryesisht livadhet ku më herët kishin kullotur bagëtia. Derisa ndeshja zhvillohej policët ishin futur në fushë. Bunajku i kishte vërejtur policët, por  nuk i kishte mëshuar bilbilit për ta ndërprerë ndeshjen. Polici i kishte rënë bilbilit të tij. Prapë lojtarët nuk e kishin ndalur lojën. Tek pasi policët e kishin mësyrë gjyqtarin ai e kishte ndërprerë ndeshjen. E kishin marrë gjyqtarin dhe e kishin dërguar në fshatin Babush të Muhaxhirëve. Ai ishte goditur disa herë nga Bobani, një polic serb për të cilin thuhej se e kishte vrarë një fëmijë në Kaçanik. “Bobani më tha: vetëm edhe një herë të pashë  në fushë me bilbil në gojë duke gjykuar ndeshje, unë me këtë revole që e kam në dorë do të vras”, ka kujtuar ai. “Policët ndërprenin ndeshjet dhe debatin e bënin me organizatorët. Gjithmonë në fjalorin e tyre mbizotëronin ofendimet personale dhe shfryerjet ndaj ‘Republikës së Kosovës’. ‘Pse luani ilegalisht? Ju duhet të hyni në Ligën e Serbisë; ju kurrë s’do të keni shtetin tuaj’, ka kujtuar Bunjaku.

Kosova ishte çliruar nga Serbia më 1999, por futbolli i Kosovës kishte mbetur i izoluar edhe për më shumë se një dekadë. Më 2016 shteti i krijuar më 2008 ishte antarësuar në UEFA dhe në FIFA.

Ish-gjyqtari nga Gjilani, i cili sot jeton në Holandë, ka thënë se kur kujtohet e kaluara, përkatësisht sakrificat e futbollistëve në kohën e okupimit, sot në gjendjen e lirisë duhet angazhuar shumëfish më shumë për zhvillimin e futbollit dhe të sportit në përgjithësi në Kosovë.

“Sot për fat të mirë jemi në situatë krejt tjetër. Gjendja e sotme duhet shfrytëzuar për të ecur përpara dhe e kaluara me shumë sakrifica duhet të jetë motiv për arritje”, ka thënë ai.

Të ngjajshme