Intervistohet një i dyshuar për lëshimin e Urës së Badovcit pa testim
Një i dyshuar është intervistuar nga Policia e Kosovës, lidhur me lëshimin e Urës së Badovcit për qarkullim pa u kryer testimi final.
Një i dyshuar është intervistuar në lidhje me lëshimin për qarkullim të Urës së Badovcit, pa u kryer testimi përfundimtar.
Lajmi është bërë i ditur përmes raportit 24 orësh të Policisë së Kosovës.
“Policia e Kosovës pas pranimit të autorizimit nga gjykata dhe pas ndërmarrjes së veprimeve hetimore ka konfirmuar se një urë është lëshuar për qarkullim pa përfunduar testimi final. Në koordinim me prokurorin është intervistuar një i dyshuar mashkull kosovar”, thuhet në raport.
Në konsultim me prokurin është thënëse rasti vazhdon të jetë në procedurë të rregullt.
Zëvendësministri i Infrastrukturës, Hysen Durmishi, pas hulumtimit të mediave se Ura e Badovcit ishte lëshuar pa u testuar, kishte thënë se gjatë këtyre ditëve kishin kaluar shumë makineri me pesha të rënda pa asnjë problem.
Durmishi kishte pretenduar se raportimet se Ura e Badovcit u lëshua në qarkullim pa u testuar, janë bërë për të shqetësuar qytetarët.
“Ura e Badovcit është stabile. Dje dhe sot po mundohen të ngjallin pasiguri te qytetarët me rastin e hapjes së urës së Badovcit. Ura e Badovcit është projektuar e ndërtuar me standardet më te larta të projektimit e ndërtimit”, kishte shkruar Durmishi në rrjetin social ‘Facebook’.
Sipas tij, gjatë të gjitha fazave janë kryer inspektime profesionale.
Vlera e kontratës së nënshkruar me kompaninë fituese “Dreni Inginiering” ka qenë 468 mijë e 522 euro.
Në kontratën e nënshkruar në mes të Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës (MMPHI) dhe “Dreni Inginiering” thuhej se punimet do të kryhen në afat prej 125 ditëve, por një gjë e tillë nuk kishte ndodhur.
Ndërkaq ura ishte mbyllur në prill të vitit 2023 për qarkullim për shkak të rrezikshmërisë që paraqiste./AlbanianPost/