“Hidromorava” e dallavereve, këta janë zyrtarët që dyshohen se manipuluan procesin e punësimit
Një skandal i rëndë është zbuluar në ndërmarrjen publike KRU “Hidromorava” në Gjilan, ku disa zyrtarë dyshohen se kanë manipuluar procesin e punësimit përmes keqpërdorimit të pozitës zyrtare, shkruan Zerogjashtë.
Sipas Policisë, dyshohet se disa anëtarë të komisionit të rekrutimit, të caktuar me vendim nga Kryeshefi i kompanisë, i kanë dhënë paraprakisht pyetjet dhe përgjigjet e testit me shkrim një kandidati të identifikuar si A.R., duke i mundësuar atij një avantazh të padrejtë ndaj aplikantëve të tjerë.
Më 29 prill 2025, janë intervistuar në cilësinë e të dyshuarve anëtarët e komisionit: Valon Maliqi (rreth 41-vjeçar), Granit Sylejmani (rreth 45-vjeçar, Shqipe Sadiku (rreth 51-vjeçare),Albana Osmani (rreth 45-vjeçare) dhe Valon Ismajli (rreth 29-vjeçar).
Të gjithë janë marrë në pyetje në prani të avokatëve të caktuar sipas detyrës zyrtare.
Gjatë intervistimit, është zbuluar se Valon Maliqi, njëri nga anëtarët e komisionit, është personi që ia kishte dorëzuar paraprakisht pyetjet kandidatit A.R.
Për pasojë, me vendim të Prokurorit të Shtetit, është nxjerrë urdhër për ndalimin e Valon Maliqit për 48 orë, në Qendrën e Ndalimit në Gjilan, për shkak të dyshimeve për kryerjen e veprës penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”.
Ndërkohë, katër të dyshuarit e tjerë janë liruar në procedurë të rregullt, ndërsa hetimet janë duke vazhduar në koordinim me Prokurorinë Themelore në Gjilan.
Edhe më herët ishin evidentuar dallavere në konkurse në “Hidromorava”
Pas raportimeve në media për dyshime për kurdisje te konkursit në ‘Hidromorava’, ky institucion e kishte anuluar konkursin për poziten “Zyrtar i Çertifikuar për Pagesa”.
“Kryeshefi Ekzekutiv i KRU “Hidromorava” SH.A – Gjilan njofton të gjithë aplikantët për pozitën e shpallur “Zyrtar i Çertifikuar për Pagesa”, thuhej ne njoftimin e Hidromoraves”.
Me pikë maksimale ishte poentuar Ilire Thaçi për pozitën Zyrtar Certifikues për Pagesa në KRU “Hidromorava”.
Ndryshe nga pesë kandidatët e tjerë, Thaçi ishte poentuar me 69 pikë në testin me shkrim për pozitën e lartcekur.
Por, kandidatët e tjerë kishin shprehur pakënaqësi me këtë renditje të konkurrentëve për këtë pozitë. Sipas tyre, Ilire Thaçi është favorizuar pasi bashkëshorti i saj Arton Thaçi ka punuar një kohë të gjatë dhe është shok me Kryeshefin aktual të Hidromorava, Ymer Salihu. Në fotografitë në rrjetet sociale, Salihu shihet i shoqëruar nga Arton Thaçi, bashkëshorti i Ilire Thaçit.
Dyshimet e kandidatëve ishin edhe në anëtarët e Bordit të Drejtorëve të cilët sipas tyre janë pjesëmarrës në kurdisjen e konkurseve në Hidramorava.
Gjetjet e Auditorit për ‘Hidromoravën’ në vitin 2021
Në raportin e Zyrës Kombëtare të Auditimit për vitin 2021, për Kompaninë Rajonale të Ujësjellësit ‘Hidromorava’ janë 9 gjetje, dhe kryesisht kanë të bëjnë me fushën financiare.
Për zbatueshmërinë e tyre, ZKA do të njoftojë në raportin që do ta publikojë në vitin 2023.
Gjetjet përfshijnë mbivlerësim të shpenzimeve të periudhës për shumën prej 241 mijë e 110 euro; mosaplikim i provizionimit të llogarive të arkëtueshme; mospërputhje në mes vlerës së pasurive afatgjata të prezantuara në pasqyrat financiare me shënimet në kontabilitet apo llogaritje e gabuar e shpenzimeve të zhvlerësimit. /Zerogjashtë/