Gjilani në përmbyllje të projektit të Spitalit të Qytetit, do të ofrohen 6 shërbime të reja për qytetarët

 Gjilani në përmbyllje të projektit të Spitalit të Qytetit, do të ofrohen 6 shërbime të reja për qytetarët

Komuna e Gjilanit gjithnjë e më shumë është duke investuar në sektorin e shëndetësisë, kryesisht në infrastrukturë, objekte të reja e renovime dhe në shërbime më të shpejta për qytetarëve të Gjilanit.

Në këtë fazë është në përmbyllje objekti i ri i Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare, apo Spitalit të Qytetit, projekt ky të cilin e solli për gjilanasit Imet Rrahmani, në kohën sa ishte ministër i Shëndetësisë, i cili u jetësua me angazhimin edhe të dr. Fejzulla Berishës.

Kryetari Haziri tha se arsimi dhe shëndetësia janë prioritete të pandashme dhe për këtë arsye me këtë projekt do të ndikohet në rritjen e shërbimeve shëndetësore dhe njëkohësisht shkarkimin e Spitalit të Përgjithshëm.

“Bëhet fjalë për 5 mijë metra katrorë, një objekt që do të jetë funksional dhe me një numër shumë të madh të shërbimeve. Është objekt i ri i ndërtuar në bashkëpunim me qeverinë e Kosovës dhe me mbështetjen e ministrave Imet Rrahmani dhe Armend Zemaj, të cilët i falënderoj që kanë mbështetur projektin e Komunës së Gjilanit për rritje të efikasitetit, shërbimeve dhe hapësirës në sektorin primar të shëndetësisë. Krahas këtij projekti kemi ndërtuar ambulancën në Llashticë, sikurse edhe në të gjitha ambulancat tjera janë bërë investime e renovime të domosdoshme”, ka theksuar kryetari Haziri.

Më tej ai ka thënë se në bazë të programit dhe kërkesave të mjekëve, por edhe këshillave të fshatrave, investimet do të zgjerohen, sepse shëndeti i përgjithshëm dhe shërbimet shëndetësore duhet të jenë pranë qytetarit dhe në shtëpi kur kërkohet nevoja.

“Shërbimet shëndetësore në shtëpi, shërbimet e stomatologjisë, laboratorit, vaksinimi, pediatria, kontrollat e përgjithshme etj., duke i shtuar edhe kujdesin e vazhdueshëm për pacientët në këtë fazë të përballjes me pandeminë, e vendosin mjekun e nivelit primar të shëndetësisë në një gardian të shëndetit të përgjithshëm publik. Prandaj prioriteti i shëndetësisë dhe arsimit janë të pandashëm, sepse njëra pa tjetrën nuk kanë kuptim”, ka thënë ai ndër të tjera.

Haziri ka shprehur falënderim të veçantë për të gjithë mjekët, infermierët, teknikët dhe stafin tjetër, që japin shërbimet e tyre në shëndetësinë primare, në 22 qendra, si në Qendren Kryesore te Mjekesise Familjare, në AMF “Ramiz Cërrnicë”, në “Dardani”, në “Dheun i Bardhë”, në “Arbëri”, “28 Nëntori”, pastaj në Dobërqan, Pogragjë, Malishevë, Zhegër, Bresalc, Përlepnicë, Cërrnicë, Verbicë e Zhegocit, Livoç i Epërm, Livoç i Poshtëm, Llashticë, Uglar, Shurdhan, Kishnapole dhe dy në vendbanimet serbe.

Të ngjajshme