Gjilanasja 𝗛𝗼𝘃𝗼 𝗠𝗼đ—čđ—Œđ—žđ˜‚ njĂ« emĂ«r suksesi nĂ« Linkedin

 Gjilanasja 𝗛𝗼𝘃𝗼 𝗠𝗼đ—čđ—Œđ—žđ˜‚ njĂ« emĂ«r suksesi nĂ« Linkedin

Hava Maloku Ă«shtĂ« shembulli mĂ« i mirĂ« e njĂ« shqiptarje qĂ« Ă«shtĂ« rritur dhe shkolluar nĂ« KosovĂ« dhe sot Ă«shtĂ« njĂ« emĂ«r suksesi nĂ« njĂ« ndĂ«r kompanitĂ« mĂ« tĂ« fuqishme si platformĂ«, nĂ« Linkedin

Hava ka diplomuar nĂ« “Graceland University” nĂ« Lowa tĂ« Shteteve tĂ« Bashkuara tĂ« AmerikĂ«s. PĂ«r tre vjet ka pĂ«rfunduar dy drejtime nĂ« kĂ«tĂ« Universitet: “MarrĂ«dhĂ«nie pĂ«r Biznes” dhe “Biznes Internacional” me orientim nĂ« teknologjinĂ« informative.

Po ashtu Ă«shtĂ« magjistre nĂ« “Biznes dhe Administrim” (MBA) nĂ« “University of San Francisco” dhe doktorante nĂ« “Golden Gate University” nĂ« drejtimin e Marketingut.

Në një intervistë ekskluzive për revistën Albinfo.ch, Hava ka treguar rrugëtimin e saj të suksesshëm nga Kosova në SHBA.

I gjithë suksesi i saj nuk ishte aksidental, por ishte fryt i punës së vazhdueshme, sistematike e konsistente të një ekonomiste të përkushtuar, siç është Hava Maloku.

Kosova, një nismë e re drejt sukseseve të mëdha

Hava ka një biografi interesante. Ajo është me prejardhje nga Gjilani. Deri në moshën 2 vjeçare jetoj në vendlindje dhe më pas, bashkë me familje kaluan me vendbanim në kryeqytetin e Kosovës, Prishtinë

“Shkollimin fillor e kam pĂ«rfunduar nĂ« shkollĂ«n “Ismail Qemali” ndĂ«rsa atĂ« tĂ« mesĂ«m nĂ« gjimnazin “Xhevdet Doda”, tregon Hava.

Ajo rrjedh nga njĂ« familje e shkolluar, nga dy prindĂ«r profesorĂ« tĂ« “GjuhĂ«s dhe LetĂ«rsisĂ« Shqipe dhe gjashtĂ« fĂ«mijĂ«, tĂ« gjithĂ« tĂ« shkolluar nĂ« SHBA dhe njĂ« nĂ« ZvicĂ«r.

Rrugëtimi nga Kosova drejt Shteteve të Bashkuara

Hava po tregonte suksese tĂ« mĂ«dha nĂ« gjimnazin “Xhevdet Doda”. Si rezultat i notave tĂ« larta, ajo fitoi njĂ« bursĂ« pĂ«r studime nĂ« “Graceland University” qĂ« gjendet nĂ« Lowa, tĂ« Shteteve tĂ« Bashkuara tĂ« AmerikĂ«s.

“PĂ«r tre vjet, kam pĂ«rfunduar dy drejtime nĂ« fakultet: MarrĂ«dhĂ«nie pĂ«r Biznes dhe Biznes Internacional me orientim nĂ« TeknologjinĂ« Informative. Pasi pĂ«rfundova studimet, u pranova pĂ«r master nĂ« Nju Jorkut dhe San Franciskos. Vendosa tĂ« shkoj nĂ« San Francisco. Masterin pĂ«r “Biznes dhe Administrim” (MBA) e kam pĂ«rfunduar nĂ« “University of San Francisco” dhe me tĂ« pĂ«rfunduar kam filluar me punĂ« nĂ« San Francisko” tregon ajo.

Hava nĂ« fakt ishte e etur pĂ«r shkollim, ajo pavarĂ«sisht punĂ«s qĂ« e bĂ«nte, vazhdoi doktoratĂ«n nĂ« “Golden Gate University” nĂ« drejtimin e Marketingut. Ajo pĂ«rfundoi edhe DoktoraturĂ«n me temĂ«n “The influence of online reviews (volume and valence) on consumers’ decision towards downloading hedonic vs. utilitarian mobile apps”.

Jeta profesionale në SHBA

Hava nĂ« fillimet e para tĂ« karrierĂ«s ka punuar pĂ«r disa startups nĂ« fushĂ«n e edukimit dhe financave si “Quinstreet” dhe “Adchemy”. Pastaj punoi pĂ«r “Expedia”, qĂ« Ă«shtĂ« njĂ« nga brendet kryesore tĂ« udhĂ«timit nĂ« botĂ«. MĂ« pas filloi tĂ« punoj pĂ«r njĂ« kompani nĂ« fushĂ«n ligjore tĂ« quajtur “Legalzoom”.

Ajo tregon për revistën Albinfo.ch. se sa i përket integrimit, nuk ka qenë fare e vështirë për të.

“Fillimisht e kam pĂ«rvetĂ«suar gjuhĂ«n e pastaj edhe jam ambientuar edhe me kulturĂ«n e zakonet. Amerika eshtĂ« njĂ« vend shumĂ« divers qĂ« ka njerĂ«z me prejardhje nga vendet mĂ« tĂ« ndryshme. KĂ«shtu qĂ« ata nĂ« pĂ«rgjithĂ«si janĂ« shumĂ« tĂ« hapur dhe i pranojnĂ«, besa edhe i pĂ«lqejnĂ« ushqimet, traditat, veshjet e shumĂ« popujve dhe kulturave tĂ« tjera. KĂ«shtu qĂ« nĂ« AmerikĂ« nuk Ă«shtĂ« shumĂ« vĂ«shtirĂ« pĂ«r t’u integruar, sepse tĂ« pranojnĂ« ashtu siç je, nĂ« fakt edhe tĂ« çmojĂ« me shumĂ« nĂ«se je vetvetja”, shprehet ajo.

Kosovarja e vetme, në rrjetin e famshëm social, Linkedin

Hava Ă«shtĂ« menaxhere nĂ« kompaninĂ« e mirĂ«njohur “Linkedin”. LinkedIn Ă«shtĂ« njĂ« shĂ«rbim biznesi dhe punĂ«simi qĂ« operon nĂ«pĂ«rmjet internetit dhe aplikacioneve.

“NĂ« Linkedin jam duke punuar qĂ« 6 vjet. Kam qĂ«ndruar kaq gjatĂ« se mĂ« pĂ«lqen misioni qĂ« ka Linkedin pĂ«r t’i lidhur profesionistĂ«t anĂ« e mbanĂ« botĂ«s pĂ«r t’i bĂ«rĂ« ata mĂ« produktiv dhe mĂ« tĂ« suksesshĂ«m. ËshtĂ« njĂ« platformĂ« e mirĂ« qĂ« ju mundĂ«son profesionistĂ«ve tĂ« paraqesin tĂ«rĂ« CV-nĂ« e tyre nĂ« formĂ« digjitale dhe nĂ« kĂ«tĂ« mĂ«nyrĂ« rekrutuesit mund t’i kontaktojnĂ« pĂ«r punĂ« tĂ« ndryshme ose pĂ«r bashkĂ«punim”, shprehet Hava.

Në fakt, LinkedIn njihet edhe për fokusin që ka në diversitetin e klasës punëtore, secili respektohet dhe vlerësohet për punën që bën. jo për prejardhjen, fenë, apo racën.

Hava është e kënaqur edhe për humanizmin që e bënë kjo kompani, për organizatat që janë në shërbim për njerëz që janë me nevoja.

“NĂ« LinkedIn, mĂ« pĂ«lqen fokusi nĂ« filantropi. PĂ«r çdo dollarĂ« qĂ« i dhurojmĂ« organizatave joprofitabile, ata e plotĂ«sojnĂ« 100% deri nĂ« 15,000 dollarĂ«. P.sh. nĂ«se unĂ« i jap $1,000 pĂ«r njĂ« organizatĂ« joprofitable, kompanija i jep 1,000 dollarĂ« nĂ« emĂ«r timin”, tregon ajo.

E vetmja shqiptare qĂ« punoni nĂ« Linkedin dhe si e vetme, ajo mundohet t’i pĂ«rfaqĂ«sojĂ« ata denjĂ«sisht.

Hava tregon për Albinfo.ch se Linkedin ka mbi 830 milionë anëtarë nga 200 vende të botës. Prej tyre 85 mijë janë në Kosovë dhe 430 mijë në Shqipëri.

Sa u përket bizneseve, mbi 58 milionë biznese kanë faqe në Linkedin dhe mbi 120 mijë shkolla. Në Kosovë kemi 555 biznese ndërsa në Shqipëri 6600. Sa i përket të hyrave LinkedIn gjeneron 11.5 miliard dollarë.

“Arsye pse ekziston kjo diferencĂ« kaq e madhe e anĂ«tarĂ«ve midis ShqipĂ«risĂ« dhe KosovĂ«s Ă«shtĂ« se nĂ« fillim Kosova nuk ka ekzistuar si shtet, prandaj njerĂ«zit e kanĂ« zgjedhĂ« ShqipĂ«rinĂ« si shtet. Tash qĂ« Kosova ekziston si shtet, nĂ« platformĂ« anĂ«tarĂ«t mund ta ndĂ«rrojnĂ« shtetin direkt nĂ« profilin e tyre”.

Hava, menaxhere e produktit më të madh në Linkedin, Linkedin Premium

Me fjalë të tjera, ajo manaxhon marketingun online përmes email-eve dhe web-faqeve për Linkedin Premium.

Premium është një produkt me pagesë ($29.99 për muaj) që i shtohet profilit dhe si rezultat, anëtari me premium ka qasje në Linkedin Learning ku mund të ndjekë klasa online duke marre parasysh librarinë prej më shumë se 15,000 klasa.

“Roli qĂ« kam ka pĂ«rgjegjĂ«si tĂ« madhe, vetĂ«m nĂ« njĂ« jave kam dĂ«rguar mbi 130 milionĂ« emaile anĂ«tarĂ«ve. QĂ« do tĂ« thotĂ« se kujdesi duhet tĂ« jetĂ« maksimal qĂ« gjithçka tĂ« jetĂ« korrekte se ndikon nĂ« tĂ«rĂ« brendin e kompanisĂ«â€, tregon ajo.

E pyetur nga Albinfo.ch se si e vlerĂ«son rininĂ« kosovare dhe sa janĂ« tĂ« aftĂ« nĂ« tregun e jashtĂ«m, Hava tregon se Ă«shtĂ« shumĂ« e kĂ«naqur me diapazanin e dijes sĂ« tĂ« rinjve nĂ« KosovĂ«. “Rinia kosovare janĂ« mjaft tĂ« aftĂ« pĂ«r tregun e jashtĂ«m. Shumica e tyre e zotĂ«rojnĂ« gjuhĂ«n angleze dhe kanĂ« pĂ«rgaditje tĂ« duhur akademike dhe profesionale. UnĂ« njoh shumĂ« persona qĂ« punojnĂ« nga Kosova pĂ«r kompani tĂ« ndryshme nĂ« EvropĂ« dhe AmerikĂ«â€, pĂ«rfundon ajo.

TĂ« ngjajshme