“Gati 200 mijë euro dëm buxhetit të Kosovës”, ATK-ja me kallëzim penal për Agim Ademin
Sipas kallëzimit penal, nisur nga faktet e gjetura dhe të prezantuara i është propozuar organit të akuzës që pas shqyrtimit të provave të vazhdojë me procedurën penale ndaj të dyshuarit, respektivisht në ngritjen e aktakuzës ndaj kreut të FFK-së, Agim Ademit.
Mbi 189 mijë euro dyshohet se i ka shkaktuar dëm buxhetit të Kosovës me qellim të përfitimit të paligjshëm dhe duke mos deklaruar fitimet kapitale, kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, prandaj ndaj këtij të fundit Administrata Tatimore e Kosovës ka bërë kallëzim penal dhe e ka deponuar në Prokurorinë Themelore të Prishtinës në fund të vitittë kaluar,
e të cilin e posedon Albanian Post.“Si rezultat i kësaj dyshohet se e ka dëmtuar buxhetin e Kosovës 194.278.43 euro. Bazuar në të drejtën e ankesës në vlerësimin e bërë nga ATK-ja, Ademi kë bërë ankesë pranë Departamentit të Ankesave dhe i njëjti më datë 26.10.2023 është lëshuar vendimi i cili konstaton pjesërisht të drejtë ankesën e tatimpaguesit dhe konstaton obligimin tatimor në vlerë prej 189.330.65 euro”, thuhet në kallëzim penal.
Sipas kallëzimit penal, nisur nga faktet e gjetura dhe të prezantuara i është propozuar organit të akuzës që pas shqyrtimit të provave të vazhdojë me procedurën penale ndaj të dyshuarit, respektivisht në ngritjen e aktakuzës ndaj kreut të FFK-së i cili e ka dhënë tokën në kompensim për ndërtim të përbashkët me biznesin “Konak Invesment” në lagjen “Veternik” në Prishtinë.
“Kontrata për ndërtim të përbashkët të objektit banesor e afarist dhe sipas ATK-së, respektivisht departamenti i Hetimit Tatimor dhe Inteligjencës ka dyshime të bazuara se i njëjti ka bërë shmangie nga tatimi për periudhat 2018-19 duke mos bërë deklarimin e saktë të tatimit, respektivisht fitimet dhe humbjet kapitale”, thuhet tutje në kallëzim penal.
Për këtë çështje, AP ka dërguar pyetje në Prokurorinë e Prishtinës, për t’i pyetur nëse është ngritur aktakuzë ndaj liderit të FFK-së, por deri në publikimin e këtij artikulli nga Prokuroria nuk kanë kthyer përgjigje.
Ndërkaq i kontaktuar nga AP, kryeprokurori i Prishtinës, Zujnullah Gashi, ka theksuar se nuk ka asnjë informacion për këtë rast.
“Nuk kam asnjë informacion për këtë rast”, tha shkurtimisht ai përmes telefonit.
Ademi dhe grupi i tij pranuan fajësinë dhe paguan mbi 13 mijë euro
Ndërsa muajin e kaluar, Ademi dhe anëtarët e Komitetit Ekzekutiv Mirsad Çollaku, Agim Dibrani, Ismajl Ajeti dhe Agim Nura, kishin pranuar fajësinë në lidhje me akuzat për “keqpërdorim të besimit” dhe “shmangie tatimore”, për të cilat ka raportuar edhe Albanian Post, derisa janë zotuar se do të paguajnë nga 2 mijë e 650 euro për komunitetin, të cilat, sipas burimeve të AP-së, edhe i kanë paguar.
Nëse e bëjmë një përllogaritje, të pesë të lartpërmendurit kanë paguar për fondin për kompensimin e viktimave 13 mijë e 250 euro. Për shkak të pranimit të fajësisë – marrëveshje në mes të Ademit dhe organit të akuzës – Prokuroria Themelore e Prishtinës kishte vendosur që të hidhte poshtë kallëzimin penal ndaj Ademit, që i ishte bërë nga Administrata Tatimore e Kosovës (ATK).
Albanian Post ka tentuar që të marrë një prononcim nga Ademi për këtë çështje, mirëpo i njëjti menjëherë pasi prezantimit e kishte mbyllur telefonin.
“Nuk komunikoj me juve”, tha Ademi me nervozizëm dhe nuk la mundësi për të vazhduar bisedën.
Në lidhje me këtë çështje, kishte pasur dyshime se prokurori i rastit, Ali Hajdini, nuk e kishte trajtuar rastin si duhet, prandaj edhe Prokuroria e Prishtinës me kërkesë të Zyrës së Kryeprokurorit të Shtetit kishte iniciuar rast disiplinor ndaj tij.
Por, megjithatë Këshilli Prokurorial kishte vlerësuar se nuk ka shkelje disiplinore edhe pse dënimi ndaj Ademit dhe grupit të tij ishte i lehtë.
“Prokuroria Themelore në Prishtinë ka iniciuar rastin disiplinor ndaj prokurorit Ali Ajdini, me nr. AD.nr.02/2024, i cili ka ardhur si informacion nga ZKPSH-ja për pretendimet për shkelje disiplinore dhe i njëjti Autoritet Kompetent ka ardhur në përfundim se nuk ka shkelje disiplinore të prokurorit në fjalë, duke dhënë arsyetimin përkatës”, thuhet në përgjigje me shkrim të KPK-së për Albanian Post.
Por, pezullimi i hetimeve ishte bërë nga organi i akuzës pa pëlqimin e Administratës Tatimore e Kosovës e cila kishte ngritur kallëzim penal për Ademin i cili ishte arrestuar nga policia si i dyshuar për “keqpërdorim besimi” dhe “shmangie nga tatimi” gjatë vitit të kaluar.
Në një përgjigje me shkrim nga ky institucion për AP, thuhet se hetuesi tatimor ishte njoftuar nga prokurori Ajdini për këtë rast vetëm pasi ishte marrë aktvendimi për pezullim të hetimeve.
“Pasi që jemi njoftuar se është bërë ndërrimi i prokurorit të rastit “FFK“, hetuesi tatimor së bashku me udhëheqësin e tij kanë shkuar për konsultime me prokurorin e ri të këtij rasti z. Ali Ajdini, dhe nga i njëjti kanë kuptuar se për rastin në fjalë nga ana e Prokurorisë është marrë aktvendim për pezullim të përkohshëm të procedurës si dhe i njëjti është përcjell zyrtarisht Policisë së Kosovës, por jo edhe ATK-së. ATK pothuajse asnjëherë nuk merr pëlqim për raste të tilla”, thuhet në përgjigje.
AP përmes një serie të shkrimeve duke prezantuar të dhëna bankare kishte njoftuar opinionin se si anëtarët e Komisionit Ekzekutiv të FFK-së, Bakir Burri, Agim Dibrani, Predrag Joviç, Vjollca Krasniqi, Ismajl Ajeti, Xhelal Broja, Agim Nura, Mirsad Qollaku dhe Iljaz Mjaku kishin fituar mijëra nga Shtëpia e Futbollit të Kosovës.
Plotë 127 mijë e 652 euro janë paratë që u janë dhënë vetëm brenda një viti 11 anëtarëve të Komitetit Ekzekutiv në formë të benificioneve shtesë, përveç pagave mujore që i kanë të rregullta në Federatën e Futbollit të Kosovës.
Rast tjetër i keqpërdorimit të mjeteve financiare të FFK-së nga Ademi është blerja e një veture që do të përfundonte e regjistruar në pronësi private të Drejtorit të Kombëtares së Kosovës, Muharrem Sahiti. Kjo kishte ndodhur më 14 shtator të vitit 2021. Vlera veturës, hiç më pak se 20 mijë euro.
Po ashtu, sipas faturave që i ka prezantuar AP, kompanisë “Hodaj & Partners” të ish-ushtruesit të detyrës së Sekretarit të FFK-së Taulant Hodaj, kreu i FFK-së i ka mundësuar të përfitojë 42 mijë e 87 euro e 75 cent nga buxheti i federatës vetëm në vitin 2021.
Ademi përveç që ka angazhuar avokatë për ta mbrojtur juridikisht, ai ka edhe shumë të tjerë (jo zyrtarisht me këtë profesion) për ta mbrojtur moralisht në opinionin publik.
Ka shumë të ashtuquajtur analistë të sportit, trajnerë, gazetarë sportivë etj, që përdorin mediat televizive dhe ato të shkruara si një trampolinë përmes të cilës ata mbrojnë “liderin suprem” të FFK-së, Agim Ademin.
Janë afër 40 mijë euro që Kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, u ka shpërndarë përgjatë vitit 2021, disa mediave të cilat në këmbim kanë bërë artikuj pozitiv për kreun e Shtëpisë së Futbollit të Kosovës./Albanianpost/