Garuesit gjilanas arritën rezultate të larta në KAMO 2024

Shkruan Festim Shkodra, prof. i matematikēs
Më 05-07. 07. 2024 në hapësirat e Gjimnazit “Loyola” në Prizren, u mbajt me sukses Olimpiada e V Matematike Mbarëkombëtare Kosovë-Shqipëri, KAMO 2024, për nxënësit e klasave VII-IX. Kjo olimpiadë u organizua nga Shoqata e Matematikanëve të Kosovës (ShMK) dhe Shoqata Shqiptare për Matematikë (AMA). Olimpiada u mbajt në kushte tejet komode, të siguruara nga organizatorët përmes donatorëve të ndryshëm. Organizimi i garës ishte me standarde mjaft të larta.
Nxënësit ishin nga të gjitha trojet shqiptare dhe diaspora. Ata patën mundësi që pos bisedave dhe shkëmbimit të njohurive dhe detyrave nga matematika, edhe të shoqërohen dhenjohin më mirë kulturën dhe traditat shqiptare nga trojet tona të ndryshme.
Ngjajshëm edhe mësimdhënësit e pranishëm shkëmbyen përvojat e tyre pedagogjike dhe trajtuan çështje të ndryshme duke u shoqëruar midis vete këto ditë.Pos garës, nxënësit kishin mundësi të merren edhe me aktivitete të ndryshme të lira sportive dhe argëtuese.
Për garuesit dhe shoqëruesit e tyre u organizua edhe një ekskursion në kryeqytetin historik shqiptar – Prizrenin e bukur, që për këto ditë u shndërrua edhe në kryeqytet shqiptar të matematikës.
Në kuadër të kësaj olimpiade edhe garuesit nga Komuna e Gjilanit, krahas garuesve tjerë arritën rezultate të larta. Nga garuesit gjilanas suksese më të larta treguan:
Vesa Xhymshiti, nxënësja më e re e olimpiadës, që vijon mësimet në klasën e VI në ShFMU “Thimi Mitko” në Gjilan, por garoi si mysafire në klasën e VII, ajo arriti të fitoj medalje të artë.
Nxënësi Arban Asllani i klasës VII nga “Hello Academy” në Gjilan fitoi medalje të bronztë.
Ndërsa nxënësja e klasës VII Erina Pajaziti nga ShFMU “Zija Shemsiu” në Gjilan, arriti të marrë mirënjohje nderi.
I urojmë këta nxënës dhe nxënësit tjerë më të suksesshëm të KAMO-s 2024, si dhe të gjithë garuesit tjerë për pjesëmarrje duke ju dëshiruar, shëndet, pushime të këndshme verore dhe rezultate edhe më të larta në të ardhmen!