Fjala e Rektorit të UKZ-së Prof. Asoc. Dr. Artan Dërmaku në Akademinë Përkujtimore për Kadri Zekën

 Fjala e Rektorit të UKZ-së Prof. Asoc. Dr. Artan Dërmaku në Akademinë Përkujtimore për Kadri Zekën

Në kuadër të “Flakës së Janarit 2024”, në sallën e Teatrit të Gjilanit është mbajtur Akademi Përkujtimore, e cila i është kushtuar heroit Kadri Zeka, emrin e të cilit e mban Universiteti ynë.

Në Akademinë Përkujtimore, në të  cilën kanë marrë pjesë familjarë të dëshmorëve, udhëheqës qendrorë dhe komunalë, veprimtarë të çështjes kombëtare, veteranë e invalidë të luftës dhe pjesëmarrës të shumtë, fjalë rasti ka mbajtur Rektori i Universitetit Publik “Kadri Zeka” në Gjilan, Prof. Asoc. Dr. Artan Dërmaku.

Rektori Dërmaku ka thënë se këtë vit, si kujtim i veçantë dhe me një dozë reflektimi, festojmë përvjetorët e heronjve të paharruar, si Kadri Zeka, Jusuf dhe Bardhosh Gërvalla, Rexhep Malaj dhe Nuhi Berisha, dhe të gjithë atyre që kontribuuan në rrugën tonë drejt lirisë.

“Ata, me sakrificën dhe guximin e tyre, bënë të mundur ndriçimin e rrugës së historisë sonë kombëtare. Nismëtarët e “Flakës së Janarit” janë pikërisht ata që po i përkujtojmë. Flaka e Janarit, si manifestim i fuqishëm dhe mbarëkombëtar, shpërfaqet në kujtimet e ngjarjeve historike që kanë formuar identitetin tonë kombëtar, nga acari i ftohtë i janarit pas Luftës së Dytë Botërore, demonstratat e vitit 1968 dhe 1981, që tunden dhe nisën rrënimin e ish-Jugosllavisë, deri tek Lufta Çlirimtare e fitimtare e Kosovës”, ka thënë në fjalën e tij Rektori i UKZ-së.

“Vlerat e tyre të larta duhet të barten tek brezat e ardhshëm. Çdo gjeneratë e re që vjen duhet të ndjek shembullin e heronjve në përkushtimin e tyre për kulturë, dituri dhe edukatë. Tani, lufta dhe sakrifica bëhet përmes dijes, shkencës dhe zhvillimit, këto janë armët tona të reja në ndërtimin e një të ardhmeje më të ndritur dhe më të qëndrueshme”, ka thënë mes tjerash Rektori Prof. Asoc. Dr. Artan Dërmaku.

Ai ka shtuar se: “Universiteti Publik “Kadri Zeka” shërben si dëshmi jetësore e ndërrimit të stafetës, duke shfaqur se sakrifica e heronjve është përkthyer tani në një betejë të vërtetë për përkushtimin në arsim dhe inovacion. Ky institucion arsimor është ndriçim i vullnetit dhe përkushtimit për të rrënjëzuar vlerat e heronjve të se kaluarës në ndërtimin e një të ardhmeje plotësisht të re dhe frymëzuese”.

Sipas Rektorit Dërmaku, sakrifica e heronjve për vendin duhet të jetë shembull i angazhimit tonë dhe i punës sonë për të ecur drejt së ardhmes. Sot, nën hijen e kujtimit të tyre, kërkohet punë dhe përkushtim në rrugën e paraardhësve tanë. Kjo është forma më e mirë për të dëshmuar si ruhet kujtimi për dëshmorët deri në përjetësi. Ata ranë heroikisht, të bindur se me vdekjet e tyre kjo flakë e lirisë do të ndizej dhe do të shndriste më shumë.

Rektori në fjalën e tij ka thënë se: “Heronjtë shuan jetën e tyre për qëllimin e madh, lirinë tonë, prandaj, sot ndodhemi bashkë këtu për të kujtuar jetën dhe veprën e heronjve tanë. Për ne shqiptarët, Nëntori është muaji i lirisë dhe krenarisë sonë, ashtu siç është ky muaj, janari, muaji i dhimbjes dhe krenarisë sonë kombëtare”.

Prof. Asoc. Dr. Artan Dërmaku, Rektori i Universitetit Publik “Kadri Zeka” në Gjilan, ka përmendur edhe inaugurimin e shtatores së heroit Kadri Zeka, emrin e të cilit e mban universiteti ynë: “Sot përjetojmë një moment të veçantë, inaugurimin e shtatores së heroit Kadri Zeka, mis të cilit e mban me krenari Universiteti ynë. Ky universitet, ku gravitojnë studentë nga rajoni dhe më gjerë, na bën krenar me sukseset e tyre çdo ditë. Kjo është porosia e jetës dhe veprës së atdhetarit Kadri Zeka dhe heronjve të tjerë, kjo është dëshmi se idealet  e Revolucionit janë realizuar dhe Kosova është në rrugën e saj drejt zhvillimit të gjithmbarshëm”.

Në fund të fjalës së tij, Rektori Dërmaku ka thënë: “Në këtë ngjarje të rëndësishme, nën hijen e shtatores së heroit tonë, ndihemi te lumtur që ky moment është një prej atyre që lë shenjë të përhershme në kujtesën tonë kolektive. Le të vazhdojmë rrugën tonë me krenari, me përkushtim, t’i bëjmë heronjtë tanë krenarë. Të gjithë së bashku të shkruajmë historinë tonë, duke thënë zëshëm se heronjtë tanë nuk do të harrohen kurrë”!

Të ngjajshme