Fillon vaksinimi kundër HPV për vajzat në Gjilan
Në një njoftim nga Qendra Kryesore e Mjekësisë Familjare Gjilan (QKMF), bëhet e ditur se, në përputhje me praktikat e rregullta të vaksinimit, fillon vaksinimi kundër Human Papilloma Virusit (HPV) për vajzat në klasat e gjashta në Gjilan, nga data 26.02.2024.
Vaksinimi kundër HPV paraqet një masë parandaluese efikase dhe të sigurtë ndaj sëmundjeve të ndryshme, duke përfshirë kancerin e qafës së mitrës dhe kanceret e tjera të organeve gjenitale. Vaksina HPV, e cila është e sigurt dhe e efektshme, mund të parandalojë më shumë se 95% të kancerit të shkaktuar nga HPV.
Procesi i vaksinimit po realizohet në bashkëpunim me DrejtorinëKomunale të Arsimit dhe drejtorët e shkollave fillore të komunës së Gjilanit,
duke siguruar mbështetjen e plotë për të gjithë nxënëset në qytet dhe fshatra. Ekipet e vaksinimit do të koordinojnë me drejtorët e shkollave për organizimin e vaksinimit në vendbanimet e tyre përkatëse.QKMF bën apel te prindërit për të pranuar ftesën për vaksinim të fëmijëve të tyre me vaksinën HPV, në qëllim të sigurimit të një mirëqenie shëndetësore për të ardhmen e tyre.