“Ëndrra ime u realizua” – humanistja kosovare në Zvicër e bënë me banesë një familje në Gjilan
Humanistja nga Kosova, që mban tri puna në Zvicër, ‘një për veti, dy për n`gjeti’ e ka realizuar ëndrrën e saj për ta bërë me shtëpi një familje.
‘Endrra ime u realizua’ – i tha ajo gazetës online Mediafokus.info, duke nënvizuar se bëhet fjalë për familjen Ahmeti nga Gjilani.
Para dy mujave, në një bisedë ekskluzive për Mediafokus. info, ajo kishte thënë ‘‘dëshira ime është që ta bëjë një familje nevojtare me shtëpi dhe nëse e realizoj edhe këtë ëndërr, s`kam frikë të vdes’’.
Një familje kosovare në Gjilan, para dy-tri ditësh është bërë me banesë falë humanistes Makfire Shkodra.
Mediafokus e ka kontaktuar
familjen përfituese, e cila është duke përjetuar një gëzim të madh për zgjidhjen e një problemi jetësor.‘Sot jam shumë e lumtur që djali ynë po nis rrugën e shkollimit nga banesa jonë’, ka thënë përfituesja, ndërkohë që ka falënderuar humanisten Makfire Shkodra dhe gjithë të tjerët që kanë kontribuar që familja e saj ta përjetojë një moment kaq të bukur.
Po kush është Makfire Shkodra, humanistja kosovare, që siç kemi shkruar më parë, i mban tri puna, ‘një për veti e dy për n`gjeti’.
Ndjenja e humanizmit brenda saj ishte zgjuar qysh në moshën fëmijërore, jo gjithaq për kushtet në familjen e saj, sa për keqardhjen dhe dhembshurinë që ndjente për fëmijët dhe familjet tjera, shkruan Mediafokus.info
Qysh atëherë, Makfire Shkodra nga Desivojca e Kamenicës e kuptoi se nga do të anonte shpirti i saj kur të rritej dhe këtë ndjenjë e shndërroi në mision jetësor, të cilin vazhdon ta bëjë prej 31 vjet e më tepër.
Ta ndash kohën dhe djersën tënde me të tjerët, duhet të kesh shpirt të bardhë si Makfire Shkodra Gajtani.
52-vjeçarja, nënë e një djali dhe një vajze, përkundër shëndetit të përkeqësuar, vazhdon t`i bëjë tri punë në Zvicër, jo pse ka nevojë për vete dhe familjen, por sepse dëshiron t`i ndihmojë nevojtarët. Pra, siç thuhet, ajo ‘bën një punë për veti, dy për n`gjeti’.
Prej 31 vitesh, që kur ndodhet në Zvicër, në kantonin Zyrich, ajo ka ndihmuar dhjetëra e dhjetëra familje në Kosovë, Shqipëri, Maqedoni e gjithandej ku ka dëgjuar se ka nevojtarë, me para, mjete të kuzhinës, orendi shtëpiake, material ndërtimor, zgjidhjen e problemit banesor, veshmbathje, dru për dimër, ilaçe…gjithçka dhe të gjitha të reja.
‘‘Çdo dy-tri javë i nis për Kosovë valixhet me ndihma dhe gjithmonë dëshiroj të bëjë më shumë për njerëzit e mi atje”, thotë Makfirja.
Por, ajo ka edhe një ëndërr që dëshiron ta realizojë në të ardhmen, pavarësisht se ka persona që përpiqen ta dekurajojnë, duke i thënë ‘lere se u mbyte, kush nuk ta dinë’.
‘‘Dëshira ime është që ta bëjë një familje nevojtare me shtëpi dhe nëse e realizoj edhe këtë ëndërr, s`kam frikë të vdes’’, thotë Makfirja për Mediafokus.info (dëshirë tashmë e realizuar – plotësim yni)
Falënderon Zotin që i ka dhënë fuqi të punojë për fëmijët e saj dhe për njerëzit në nevojë.
‘‘Nuk është e lehtë për mua, por kam mirëkuptimin e familjes, fëmijëve dhe burrit, po edhe të grave tjera këtu në Zvicër, shqiptare e zvicerane, që më përkrahin në aksionet e mia humanitare’’, thotë ajo.
Ndërkohë që u rikthehet kujtimeve të jetës në fshat, Makfirja thotë se si fëmijë kanë hequr shumë.
E rritur në një familje me 6 fëmijë, me një nënë të sëmurë dhe të shumtën e kohës pa babin, i cili punonte në Novi Sad, për të siguruar ekzistencën, Makfirja nuk e kishte të lehtë jetën.
Si fëmija i dytë në familje, pas vëllait, asaj i kishte rënë hise të bënte shumicën e punëve të shtëpisë. Pos për nënën, i duhej të kujdesej edhe për mixhën dhe gruan e tij që ishin të sëmurë.
T`i mbajë mbi supet e veta një fëmijë gjithë këto gajle, natyrisht se nuk ka qenë e lehtë.
Edhe tani, kohën e saj e ndan për njerëzit në nevojë. Pak apo aspak kohë ndan për vete, duke vrapuar nga njëra punë te tjetra. I ndihmon edhe mërgimtarët, dikë për të gjetur një punë, dikë për të gjetur banesë e besa ka pasur raste që ka mbajtur njerëz edhe në banesën e saj, derisa janë sistemuar diku.
Një grua nga Drenica, me një vajzë 3-vjeçare e ka mbajtur në banesën e saj derisa i është bërë viza.
Ajo merr çdo ditë e çdo orë falënderime nga njerëzit që i ndihmon, sidomos nga gratë me fëmijë jetimë dhe të sëmurët.
‘‘Allahu e shpërbleftë me të gjitha të mirat tetën Makfire’’, ‘‘Zoti e shpërbleftë se i gëzon çdo familje’’, ‘‘Një mbretëreshë me zemër të madhe dhe të bardhë’’ – janë disa nga mesazhet e shumta në telefonin e saj.
Makfire Shkodra Gajtani, ndonëse 52-vjeçare dhe me ‘njëqind probleme shëndetësore’ nuk e ka ndërmend të heq dorë nga aktiviteti humanitar, derisa të ketë jetë. Sa për vete, nuk ka nevojë, po shpirti i thotë se duhet të punojë për fëmijë dhe familje me ëndrra të thyera, por me shpresa për të ardhmen. Gëzohet veçmas kur arrin të lumturojë një fëmijë jetim. Ajo vetë nuk kishte hequr dorë nga ëndrrat e saj dhe tani ja ku është, duke ndihmuar të tjerët. /Mediafokus.info/