Edion Kastrati: Jam krenar që do të vesh fanellën e Kosovës
Edion Kastrati, futbollisti 17-vjeçar me prejardhje nga Karaçeva, i cili jeton dhe stërvitet në Gjermani, është ftuar nga përzgjedhësi i Kombëtares së Kosovës U17, Arbnor Morina, për t’u bashkuar me grumbullimin e ekipit dy ditore (19-20 Nentor), në Kompleksin Sportiv në Hajvali. Kjo ftesë është një moment i veçantë për talentin e ri, i cili po përjeton krenari dhe emocione të mëdha që do të mbrojë ngjyrat e Kosovës.
“Jam shumë i lumtur për ftesën që më ka bërë përzgjedhësi Arbnor Morina. Kjo është një ftesë që më bën krenar, mua dhe gjithë familjen time. Për këto dy ditë grumbullimi do
të bëj çmos për ta dëshmuar veten dhe për të arsyetuar besimin që më është dhënë,” ka shprehur emocionet e tij Kastrati.Kastrati, i cili luan për FC Freiburger në Gjermani, është një sulmues i spikatur që shquhet për fleksibilitetin e tij në dy pozicione kyçe, në krahun e majtë dhe të djathtë të sulmit. Angazhimi i tij dhe performanca e vazhdueshme kanë tërhequr vëmendjen e trajnerëve, duke e bërë atë një ndër talentet më premtues të gjeneratës së re kosovare.
Ky grumbullim është një mundësi e jashtëzakonshme për Kastratin që të integrohet me bashkëlojtarët dhe të njohë nga afër stilin dhe kërkesat e ekipit përfaqësues. Për familjen e tij, kjo është një arritje e madhe që pasqyron sakrificat e bëra ndër vite për të mbështetur karrierën e tij në futboll.
Në përfundim të grumbullimit dyditor, përzgjedhësi Morina pritet të bëjë vlerësimin e lojtarëve, duke përfshirë dhe Kastratin, i cili shpreson të lërë një përshtypje të mirë dhe të sigurojë një vend të përhershëm në ekipin kombëtar U17 të Kosovës.