Droga po përdoret me të madhe nga të rinjtë, zbulohen disa raste në Gjilan e Prishtinë
Abuzimi me substanca narkotike nga të rinjtë mbetet një shqetësim i madh në shoqërinë kosovare. Edhe më shqetësues këtë dukuri e bën mungesa e trajtimit preventiv nga institucionet. Varësia nga droga sa vjen e shtohet dhe kjo dëshmohet çdo ditë me kapjen dhe arrestimin e dhjetëra personave konsumues e shpërndarës të substancave narkotike, shkruan Gazeta Sinjali.
Sinjali mëson se disa raste të tilla janë zbuluar ditët e fundit në Prishtinë dhe Gjilan.
Tre të rinj janë arrestuar në fshatin Bresalc të Gjilanit, pasi të njëjtit janë kapur me substanca narkotike të llojit marihuanë dhe kokainë. Ata janë shoqëruar në stacion policor kujanë intervistuar nga organet e hetuesisë lidhur me rastin.
Me urdhër të prokurorit, të re janë dërguar në mbajtje.Me kokainë e marihuanë u kap edhe një person në rrugën ‘Bajram Kelmendi’ në Prishtinë. Narkotikët u sekuestruan, ndërsa i dyshuari është shoqëruar në stacion policor, ku është intervistuar nga organet e hetuesisë. I dyshuari do të hetohet në liri për veprën penale ‘Posedim i paautorizuar i narkotikëve, substancave psikotrope ose analoge’.
Fatin e njëjtë e pati edhe një person tjetër në Prishtinë, i cili u shoqërua në stacion policor pasi iu gjetën narkotikë në xhepat e tij.
Sipas Kodit Penal të Kosovës, është e jashtëligjshme që qytetarët të blejnë, posedojnë apo shpërndajnë substanca narkotike dhe mund të dënohen me gjobë apo burgim, varësisht nga sasia dhe lloji i lëndës narkotike që iu kapet nga autoritetet e rendit.