Dr. Lumnije Kqiku profesoresha e titujve akademik në botë, një shqiptare në Woman in global Health Austria

 Dr. Lumnije Kqiku profesoresha e titujve akademik në botë, një shqiptare në Woman in global Health Austria

Shkruan: Alberina Shabani

Prof. Dr. Lumnije Kqiku është një nga autoritetet botërore me prestigj të lart – model i një gruaje të suksesshme. Ajo njihet për arritjet e saja në të gjitha nivelet akademike në moshën e saj të re shkencore. Mbetet motiv edhe për shumë gra të tjera anekënd botës. Edhe pse jo e lehtë për të ajo mbetet edhe më tutje në trendin e zhvillimeve më të reja, ku me punën e saj të palodhshme dhe guximin që ka ofron një model ndryshe të vepruarit në shkencë e studime ndërkombëtare.

“Suksesi im është i prekshëm dhe jam krenare që përfaqësoj kombin tim dhe jam e pranishme në takimet më të avancuara të nivelit ndërkombëtar. Të depërtosh në portat e botës dhe të tregosh rrëfimin tendë të suksesit të madh është edhe nder edhe krenari, e para se jam nga Kosova dhe e dyta se e rangoj Kosovën dhe shqiptarët në hierarkinë e shkencës botërore” ka thënë Kqiku. Dr. Kqiku pothuajse ka përjetuar të gjitha të arriturat shkencore dhe pretendon se e ardhmja e saj është akoma më aktive në shkencë.

“Shkenca nuk ka kufij sepse ajo zhvillohet me kalimin e kohës edhe më shumë. Nuk guxojmë të stagnojmë e as të krekosemi, se kemi arritur rezultate finale apo kulminante. Ne duhet të ecim me kohën dhe durimi im dhe i kolegëve të mi i kushtohet shkencës, dijes, vlerave universale dhe atyre që kanë dëshirë të prosperojnë në fusha të ndryshme” shprehet Kqiku.

Prof. Dr. Kqiku e cila tashmë ka përfituar titullin ambasadore e shkencës në botën shqiptare jep edhe një mesazh për shqiptarët kudo që ndodhen në botë dhe janë të angazhuar ose mendojnë të angazhohen në tituj shkencor dhe hulumtime të avancuara studimore.

“Mos u dorëzoni për asnjë moment, mos u largoni nga dëshirat e juaja për të mbërritur në hierarkinë e njerëzve më me ndikim në shkencë sepse gjithçka është e mundur dhe gjithçka varet nga këmbëngulja e juaj dhe intelekti për ta finalizuar një ëndërr tuajën. Unë jam kudo dhe me ju e pranë jush sepse kam përkrahur dhe vazhdoj të përkrah pa asnjë interes kuadrot shkencore nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia, e kudo në trojet shqiptare” shton Kqiku.

Ajo si nënë e tre fëmijëve, duket që përpos shkencës ka vendosur të përfaqësoj vetën dhe kombin shqiptar edhe në WOMAN IN GLOBAL HEALTH komunitet ky që boton biografitë e anëtarëve të saj aktiv, të cilët shquhen për të arriturat e tyre dhe karrierën e jashtëzakonshme, sidomos atyre që njihen si “gra te forta”.

Ndër temat kyqe që kanë lënë gjurmë dhe shquhet dr. Kqiku në këtë aktivitet do të jenë: Gratë udhëheqëse në shëndetin global, gratë në shkencë, të drejtat e grave dhe fëmijëve si dhe fuqizimin e grave.

Po ashtu, Prof. Dr. Kqiku ka marrë shumë çmime kërkimore dhe është ftuar në shumë vende ku ka mbajtur leksione të shumta “keynote” dhe ka shërbyer si eksperte e fushës. Në prill të vitit 2023, Dr. Kqiku është nderuar me Çmimin “Personalitet Nderi me medalje të artë” nga Qyteti i Graz-it të Austrisë, manifestim ky në të cilin ishin të pranishëm pothuajse gjithë qeveria e qytetit si dhe vet kryebashkiakja e Gracit Elke Kahr, e cila me këtë rast ka theksuar: “Mirënjohja është gjëja më e thjeshtë për të ju thënë faleminderit”.

Ndërsa, Dr. Kqiku kishte thënë në ditën e ndarjes së çmimit: “Çmimi i fundit që u nderova nga qyteti i Grazit të Austrisë për të arriturat shkencore “Personalitet nderi me medalje të artë”, është çmim që na nderoi të gjithëve si komb dhe do të vazhdoj të përfaqësoj atë kudo që jam”.

Prof. Dr. Lumnije Kqiku është profesoreshë në Universitetin e Gracit / Austri udhëheqëse e Klinikës Speciale të Endodoncionit dhe Traumatologjisë Dentare në Grac të Austrisë. Është anëtare e shumë shoqatave dentare vendore dhe ndërkombëtare, njëherit edhe recensente e shumë revistave shkencore dentare që me punën e saj të palodhshme, guximin dhe diturin e bën një zonjë të dalluar, karriera e së cilës është frymëzuese për rrugën e suksesit.

Të ngjajshme