Dosja e Prokurorisë për Hysri Selimin nga Gjilani i arrestuar për spiunazh

Dosja e Prokurorisë Speciale të Kosovës tregon se Hysri Selimi nga Gjilani, i arrestuar më 6 maj dyshohet për spiunazh. Sipas kësaj dosje, Selimi ka pasur biseda me një zyrtar të BIA-s, të cilat janë zhvilluar në aplikacionin Viber.
Siç raportohet tutje aty, në biseda shihet një bashkëpunim i Selimit me BIA-n, duke përfshirë raportime për arrestime në Kosovë, lëvizje të grupeve radikale dhe interesim për krijimin e mesxhideve (xhamive) ilegale jashtë kontrollit të Bashkësisë Islame të Kosovës (BIK).
Në një nga mesazhet e datës 5 qershor 2024, Selimi njofton zyrtarin serb për arrestimin në Ferizaj të dy personave të dyshuar sibashkëpunëtorë të Serbisë,
Bedri Shabani dhe Muharrem Qerimi. Më pas, ai shpreh shqetësim për mundësinë e përfshirjes së tij në këtë rast.“A keni dëgjuar për këtë lajm? A është e mundshme ta kem ndonjë problem? Pavarësisht, unë udhëtoj si njeri i lirë,” – i shkruan Selimi zyrtarit të BIA-s serbe.
Zyrtari i BIA-s i përgjigjet të nesërmen: “Jo bre. Çfarë lidhje ke ti. Shihemi nesër rreth orës 08:30!”. Në një komunikim tjetër, mes Selimit dhe zyrtarit të BIA-s, konfirmohen dyshimet e mëhershme për përfshirjen e Serbisë në nxitjen e rrymave radikale në Kosovë.
Selimi shkruan: “Genci dhe Alejhimi jo… nuk flasin me grupin e tij”. Menjëherë pason përgjigja e zyrtarit të BIA-s: “A po shikojnë që ta themelojnë mesxhidin?”. Kjo është konsideruar si një nga bërthamat kryesore të bashkëpunimit të Selimit me BIA-n.
Sipas dosjes së PSRK-së, Selimi ka mbledhur e më pas i ka dhënë informacione BIA-s për numrin e personave të radikalizuar dhe numrin e atyre qytetarëve të Kosovës që kanë shkuar për të luftuar në Siri. /Zerogjashtë/