Disa këshilla për sy të shëndoshë nga Oftalmologu i njohur gjilanas Dr. Ardian Shabani
Dr. Ardian Shabani është Oftalmologu më i njohur dhe më i respektuari në shtetin e Kosovës, ku me shumë profesionalizëm ka spjeguar disa këshilla për mbrojtjen e syve.
Që nga shtatori i vitit 2021 Dr.Ardian Shabani është drejtor i Oftalmologjisë në QKUK.
Zerogjasht: Sa shpesh duhet të bëjmë ekzaminimin e syve?
Oftalmologu Ardian Shabani: Ekzaminimi i syve, rregullsia e bërjes së tij varet nga shumë faktorë,: mosha, predispozita familjare dhe faktorët tjerë.
Psh.
– Bebet (nën 3 vjeç)
Duhet të siguroheni që fëmija juaj të bëjë ekzaminimin e parë të syrit që në ekzaminimin e parë pediatrik, por jo me vone se 6 muajsh me ç’rastduhet kushtuar vëmendje çrregullimeve që lidhen me bulbomotoriken e syve dhe një ekzaminim bazë të ekzistencës së refleksit të kuq fiziologjik në sy.
– Fëmijët (4 deri në 16 vjeç)
Një kontroll i mprehtësisë së shikimit, si dhe një ekzaminim i plotë i segmentit të përparmë dhe të pasmë të syrit duhet të ekzaminohet për herë të parë në vitin e 3-të të jetës, dhe më pas ekzaminimet rutinë duhet të përsëriten çdo 2 vjet për të monitoruar zhvillimin e syrit të fëmijës dhe mprehtësine e shikimit, të cilat janë më intensivet dhe më të prekshmet në këtë periudhë.
-Popullsia e re (nga 17 deri në 39 vjeç)
Rekomandohet një ekzaminim i plotë oftalmologjik çdo dy vjet, veçanërisht te të rinjtë me histori familjare pozitive, pra te personat që kanë sëmundje oftalmologjike në familjen e tyre të afërme dhe të largët, ose që kanë pasur një dëmtim të mëparshëm të syrit ose ndërhyrje kirurgjikale.
-Popullata e moshuar (mbi 40 vjeç)
Me kalimin e viteve dhe ndryshimet degjenerative prekin të gjitha organet, nuk kursehet as syri. Simptoma të tilla si ulja e mprehtësisë së shikimit në distancë dhe afër, turbullira në trupin qelqor, gërvishtje dhe djegie si pjesë e sindromës së syrit të thatë, janë disa nga dukuritë më të zakonshme në këtë grupmoshë.
Sido që të jetë, rekomandimet janë që ekzaminimi i parë i plotë okulistik në moshën dyzetvjeçare te behet kur paraqitet nevoja për syze leximi.
Pas një ekzaminimi të plotë, mjeku vendos, sipas rastit, cila do të ishte frekuenca e rekomanduar e ekzaminimeve të mëtejshme të kontrollit.
Personat që kanë faktorë rreziku predispozues si diabeti, presioni i lartë i gjakut, prania e glaukomës, kataraktit apo ndonjë sëmundje tjetër të syve në familje duhet të kontrollohen më shpesh. Shpeshtesine te keta paciente e cakton oftalmologu pas cdo ekzaminimi.
Zerogjasht: Cilat teste do të kryhen gjatë një vizite?
Oftalmologu Ardian Shabani: Testet që kryhen gjatë vizites oftalmologjike mund të jenë teste rutinore dhe teste më specifike.
Testet rutinore janë:
-Matja e mprehtësisë së të parit,
-Biomikroskopia -Bulbomotorika dhe
-Oftalmoskopia.
Kurse në varësi te simptomave dhe ankesave të pacientit testet më të specializuara janë:
-Matja e tensionit te syrit
-Perimetria
-Oct
-Testi i ngjyrave etj.
Zerogjasht: Si mund t’i mbroj sytë nga tendosja digjitale?
Oftalmologu Ardian Shabani: Duke qenë se jetojmë në një botë ku është thuajse e pamundur të largohesh nga ekrani dhe e gjithë puna bëhet me kompjuter, duket se ne jemi të dënuar të shikojmë ekranet gjatë gjithë ditës.
Nuk ka recetë magjike që një herë e përgjithmonë t’i mbrojmë sytë nga ekranet, por ka disa këshilla të vogla që mund t’i ndjekim që mund të na e lehtësojne punën:
A)
Rregulli amerikan 20-20-20 20 minuta punë pastaj 20 sekonda pushim duke parë në 20 fit largesi (6m).
B)
Mbylli me shpesh kapaket e syve gjatë punës para ekranit. Njeriu i “rreh” kapaket 12-16x në minutë. Gjatë punës para ekraneve “harron” nga koncentrimi dhe si rezultat syri thahet. Prandaj rekomandohet ky veprim.
Zerogjasht: A ka ndryshime në stilin e jetës që mund të ndikojnë për të përmirësuar shëndetin e syve?
Oftalmologu Ardian Shabani: thotë
-Keni kujdes me ushqimin dhe masen trupore
-Mos pini duhan
-Mbani syze per t’i mbrojtur syte
-Shkoni ne vizita te rregullta
-Pushoni/fleni mjaftueshem.
Zerogjasht: Cilat simptoma duhet të nxisin vëmendjen e menjëhershme?
Oftalmologu Ardian Shabani: Janë disa simptome të cilave duhet t’ua kushtojmë vëmendjen:
A). Ndriçime, miza ose hije në fushën e shikimit
Shfaqja e ndriçimeve në sy, paraqitja e “mizave në sy”, hijet në shikimin periferik ose një perde gri që lëviz nëpër fushën e shikimit mund të jenë shenja të ABLACIONIT të retinës (shkolitja e shtreses se retines nga vendi). Miopia e lartë, sëmundjet e syrit si glaukoma dhe lëndimet fizike të syrit janë ndër shkaqet kryesore të shkolitjes së retinës. Nëse nuk trajtohet në kohë, shkolitja e retinës mund të çojë në verbëri.
B). Dhimbja në sy
Shumica e sëmundjeve të syrit janë pa dhimbje, por disa gjendje mjekësore ose lëndime mund të shkaktojnë dhimbje në sy. Dhimbja e syve mund të shkaktohet nga glaukoma akute, thatësia e skajshme e syve, lëndimet e syve, kornea e gërvishtur dhe gjendje të ndryshme inflamatore të syrit.
C). Humbja e pernjehershme e te parit
Humbja e papritur e shikimit mund të sinjalizojë një sërë sëmundjesh të syrit dhe gjendjeve shëndetësore. Një prej tyre është degjenerimi makular, i njohur gjithashtu si degjenerimi makular i lidhur me moshën, i cili është shkaku kryesor i humbjes së shikimit tek njerëzit mbi 65 vjeç në SHBA. Humbja e shikimit e shkaktuar nga degjenerimi makular i lidhur me moshën mund të jetë gradual, por në disa raste mund të jetë i papritur dhe ndodh kur ndodh gjakderdhja nën retinë. Një tjetër shkak i humbjes së papritur të shikimit mund të jetë glaukoma akute, e cila rrit presionin e syrit dhe dëmton nervin optik. Okluzioni i Arteries optike gjithashtu eshte shkak i humbjes se menjehershme te te parit.
D). Lendimi i syrit
Çdo lendim i syrit duhet të vlerësohet nga një oftalmolog, veçanërisht nëse ka ulje te visusit, skuqje ose dhimbjes që zgjat më shumë se 15 minuta.
E). Turbullimi i te pamurit
Edhe nëse pastrohet, shikimi i turbullt mund të jetë shenjë e një sërë problemesh me sy, si glaukoma, uveiti ose degjenerimi makular. Shikimi i turbullt është një simptomë që nuk duhet të injorohet kurrë, pasi një reagim në kohë është shpesh çelësi për ruajtjen e shikimit.
F). Ndjenja e jokomoditetit dhe gervishtjes ne sy
Nëse ndjeni ndonjë shqetësim në sy pasi keni kryer një aktivitet ku ka ekzistuar mundësia që një grimcë e vogël të hyje në sy, mos e injoroni. Mjeku duhet të ekzaminojë sytë tuaj për t’u siguruar që nuk ka trupa të huaj në sy që mund të shkaktojnë infeksion.
G). Skuqja e syrit
Shfaqja e skuqjes në dy syte ndoshta nuk është një gjendje aq serioze sa skuqja në njërin sy. Kur të dy sytë janë të kuq në të njëjtën kohë, mund të jetë një shenjë e një ftohjeje ose konjuktiviti – infeksione më pak të rrezikshme që trajtohen lehtësisht.
Skuqja në vetëm njërin sy mund të jetë tregues i inflamacionit më të rëndë, si skleriti ose uveiti.
Zerogjasht: A duhet të mbajmë syze dielli?
Oftalmologu Ardian Shabani: Pak njerëz mendojnë për rrezikun që paraqet dielli për sytë dhe shikimin, sepse mendojne se syzet e diellit janë një detaj mode dhe jo mbrojtje shëndetësore.
Është e rëndësishme të dimë se sytë tanë janë të ekspozuar ndaj rrezatimit të dëmshëm si pjesa tjetër e trupit dhe se pa mbrojtjen e duhur, mund të ndodhin shumë dëme. Ne ju zbulojmë pse është shumë e rëndësishme të mban.
Intervistoi: Artan R. Dërmaku