Diaspora sjell investimin prej 7.3 milionë Euro në Kamenicë
Kryetari i Komunës, Kadri Rahimaj, gjatë një vizite në Bern të Zvicrës, ka njoftuar qytetarët se është nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi në ndërtimin e impiantit të prodhimit të biogasit, nga mërgimtari Fidan Haradini.
Ky projekt i rëndësishëm për Komunën e Kamenicës që kap vlerën prej 7.3 milionë Euro, gjeti mbështetjen edhe të Kryeministrit Albin Kurti dhe Ambasadorit Mentor Latifi, të cilët ishin të pranishëm në takim.
‘’Kapitali i diasporës çdo ditë e më shumë po kanalizohet në projekte të rëndësishme dhe zhvillimore për Kosovën. Ky impiant do të prodhojë 1 MG energji elektrike dhe 1 MW energji për ngrohje. Prodhimi i biogasit në
Kamenicë, pritet të avancojë e zhvillojë edhe sektorët si bujqesia dhe mbeturinat. Kjo nënkupton që fermerët tanë mund të kenë bashkëpunim të ngushtë me këtë impiant në të ardhmen, përveç investimeve vetanake nga investitori.Në anën tjetër, imipantët e tillë kanë rëndësi të veçantë edhe në tërheqjen e investimeve tjera në industri apo prodhimtari tjera ku kërkohet energji e mjaftueshme, e pavarur, ekonomike dhe stabile. Përveç ndikimeve tjera, impiantët e biogazit kanë edhe qëllime më të gjera ekonomike, të mbështetura dhe të perkrahura nga institucionet dhe organizata ndërkombëtare si BE dhe OKB’’, ka njoftuar Kryetari Rahimaj.I pari i Komunës, po ashtu bëri të ditur se përfitimet e tjera ekonomike nga një impiant i tillë janë edhe:
• Promovimi dhe forcimi i zonave rurale
• Prodhimi i energjisë nga produktet bujqësore dhe plehut të kafshëve
• Uljen e emetimeve të CO2 përmes zëvendësimit të qymyrit, druve, derivateve dhe formave konvencionale të ngrohjes
• Ruajtja e burimeve natyrore
• Forcimi dhe mbështetja e energjive të rinovueshme
• Heqja e nevojës për depozitimin dhe shfrytëzimin e mbetjeve organike dhe
• Minimizimi i emetimeve të gazrave serrë.