Dhjetë kërkesat urgjente që Ibrahim Rugova ia kishte bërë Perëndimit në vitin 1993
Presidenti historik i Kosovës, Ibrahim Rugova, në vitin 1993 ia kishte bërë dhjetë kërkesa urgjente shteteve perëndimore për ta zgjidhur problemin e Kosovës, që në atë kohë ishte futur në një krizë të thellë politike.
Një dokument i bërë viral tashmë, Rugova kishte përmendur se Kosova është në krizë për shkak të disa arsyeve, ku ka përmendur se tensione janë rritur, 30 mijë ushtarë serbë dhe 25 mijë policë patrullojnë në Kosovë.
Si arsye që e thellon krizën Rugova ka listuar edhe faktin se serbët lokalë janë të armatosur. Pastaj, thotë se forcat paramilitare të Arkanit ia mësyjnë fshatrave shqiptarë për të bërë punë të pista.
Ndër të tjera thuhet se pasi Millosheviqi “kreu” punën e tij në Bosnjë dhe Hercegovinë, do të drejtohet kah Kosova.
Rrjedhimisht, Rugova përmes 10 kërkesave urgjente u tregoi shteteve të perëndimit se cfarë duhet bërë.
Vendosjen e një numri të konsiderueshëm forcash të OKB-së dhe NATO-s në Kosovë.
Vendosjen e Kosovës nën protektoratin e OKB-së.
Vendosjen e misioneve të jashtme (ndërkombëtare) në Kosovë.
Rritjen e zonës “të mos fluturohet” përmbi Kosovë.
Të ndalet pastrimi etnik nga Serbia në Kosovë.
Të çarmatosen strukturat paramilitare serbe, të vendoset artileria e rëndë nën kontrollin ndërkombëtar.
Të rihapet aeroporti i Prishtinës për fluturimin e ndihmave humanitare.
Të ndalet kolonizimi i Kosovës nga Serbia.
Të lejohet që lirshëm Kuvendi dhe përfaqësuesit e popullit të mbajnë mbledhje.
Të përjashtohet Kosova nga sanksionet ndërkombëtarë që i janë vendosur Serbisë dhe Malit të Zi.
5 vjet më vonë në Kosovë krisi lufta. Faktori ndërkombëtar luajti rol kyç në çlirimin e Kosovës bashkë me UÇK-në si organizatë ushtarake e lindur nga populli kryengritës. Pas qershorit të vitit 1999, Kosova u shpall zonë e administruar nga OKB-ja deri më 2008, kur edhe u shpall Pavarësia e Kosovës.