Derbi “El Anamorava” – Gjilani synon ta mposht Dritën kampione për ta mbajtur gjallë “ëndrrën evropiane”

Gjilani do të provojë ta mposht Dritën e cila tashmë është shpallur kampione e Kosovës në Superligën e Kosovës në Futboll.
Trajneri i Gjilanit, Ardian Nuhiu beson se ndeshja derbi ndaj rivalëve lokal (Dritës) përveçse është e rëndësishme për shkak të pikëve që mbajnë gjallë ëndrrën evropiane, po ashtu është i rëndësishme për qytetin dhe tifozët.
“Ndeshje e rëndësishme, sepse luajmë për pikët që na dërgojnë në Evropë. Te grupi kam parë një motiv të madh gjatë gjithë javës për këtë takim. Besojmë fuqishëm që do të bëjmë një ndeshje të mirë edhe për shkak të rëndësisë që kanë pikët, por edhepër t’i gëzuar tifozët tanë,
sepse e dijmë që kjo ndeshje është speciale për ta”, tha Nuhiu në një konferencë për media të premten.Ai ka kërkuar nga futbollistët e tij që të kenë qasjen e njejtë sikurse në ndeshjen e shkuar ndaj Prishtinës.
“Kemi zhvilluar një ndeshje shumë të mirë ndaj Prishtinës, sikurse në aspektin taktik, po ashtu edhe në aspektin fizik. Kemi zhvilluar një ndeshje të mençur dhe shumë të qetë dhe mund të them që me plot meritë kemi triumfuar”, thotë ai.
Ndërsa trajneri i Dritës, Zekirja Ramadani, theksoi se derbi do të jetë me shumë gola, teksa shtoi se edhe ekipi i Gjilanit beson se do të luaj hapur.
“Ndeshja do të jetë e hapur, ne nuk kemi presion, do të luajmë vetëm për ‘Intelektualët’ që t’i gëzojmë ata. Në çdo takim jemi futur për fitore. Do jetë me rëndësi që të luajmë mirë, kam një parandjenjë që do të jetë derbi i hapur. Nuk dihet normal që kush do të fitojë. Padyshim që do të futemi për fitore”, tha Ramadani.
Dueli ndërmjet Gjilanit dhe Dritës zhvillohet këtë të shtunë me fillim në stadiumin ndihmës me fillim nga ora 16:00. /Zerogjashtë/