Betohet Mustafë Nuhiu anëtari i ri i KPK-së nga radhët e Odës së Avokatëve të Kosovës
Prishtinë- Në mbledhjen e 249-të të Këshillit Prokurorial të Kosovës, të martën, është betuar Mustafë Nuhiu anëtari joprokuror i KPK-së nga radhës e Odës së Avokatëve të Kosovës.
Tekstin e betimit për anëtari Nuhiu e lexoi kryesuesi i KPK-së, Ardian Hajdaraj, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Ndryshe, Kuvendi i Republikës së Kosovës më 16 maj 2024 kishte përzgjedhur Nuhiun si anëtar joprokuror i Këshillit Prokurorial të Kosovës me mandat 5 vjeçar.
Emri i Nuhiut ishte propozuar nga Oda e Avokatëve të Kosovës, ndërsa kundërkandidat kishte Skender Gojanin, ku Nuhiu morri 55 vota ndërkaq Gojani 19.
Në e katërt të kësaj mbledhjeje, janë miratuar raportet përfundimtare të vlerësimitpër përmbushjen adekuate të trajnimit fillestar për Prokurorët e Shtetit,
gjenerata X dhe vendimi i Këshillit Drejtues të Akademisë së Drejtësisë.Po ashtu, është miratuar edhe raporti vjetor i vitit 2023, i Komisionit Mbikëqyrës për Zbatimin e Planit Strategjik dhe Planit të Veprimit për luftimin e Korrupsionit dhe Krimeve Ekonomike, raport ky i prezantuar nga prokurori Arben Ismjali.
Lidhur me këtë, Ismjali sqaroi se gjatë vitit 2023 kanë pranuar 127 vendime gjyqësore, prej të cilave 92 persona janë shpallur fajtorë, për 24 persona është hudhur aktakuza, për 6 është refuzuar dhe 5 persona janë liruar nga akuza.
Në këtë rast, ushtruesi i detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, Besim Kelmendi u bëri thirrje të gjithë kryeprokurorëve që të mbajnë takime me policinë, me arsyetimin se është shqetësuese dorëzimi i kallëzimeve penale pa emër e mbiemër kur kryerësve u dihen të dhënat.
Po ashtu, është miratuar edhe pika e gjashtë që ka të bëjë me rregulloren për Procedurën e Rekrutimit, Pranimit, Emërimit dhe Punës Provuese për të Punësuarit në Administratën e Sistemit Prokurorial, si dhe pika e shtatë Rregullorja për Planifikimin e Personelit.
Gjithashtu, në pikën e tetë u miratua edhe Rregullorja për Procedurën Disiplinore të Stafit Administrativ në Sistemin Prokurorial të Kosovës, meqë rast nga anëtari i Këshillit, Armend Zenelaj u tha se rregulloret në fjalë kanë për qëllim avancimin e tyre përkrah ligjeve.
Në këtë mbledhje, në pikën e nëntë, anëtarja e këshillit, Ariana Shajkovci paraqiti përmbajtjen e kërkesës buxhetore, duke shtuar se kanë paraparë 209 pozita për prokurorë dhe rritje e numrit të mbrojtësve të viktimave dhe të bashkëpunëtorëve profesional. Pikë e cila u miratua nga të gjithë anëtarët e Këshillit.
Në këtë mbledhje, u miratua edhe pika e dhjetë e rendit të ditës, që ka të bëjë me skemën e kompensimit për anëtarët e Këshillit, duke u formuar kështu grupi punues me kryesues anëtarin Dardan Vuniqi. Grupi Punues do të dalë me rekomandime konkrete për këtë skemë.
Këshilli miratoi edhe pikat 11-të dhe 12-të të rendit të ditës, që kishin të bënin me publikimin e vendimeve disiplinore nga autoritetet kompetente, respektivisht publikimin e vendimeve të Këshillit Prokurorial të Kosovës për vlerësim të performancës.
Për këto dy pika, kryesuesi Ardian Hajdaraj tha se ka qenë zotim i tij që si kryesues do të rrisë nivelin e transparencës së Këshillit. Sipas tij, publikimi i këtyre vendimeve pa të dhëna personale do të rrisë këtë nivel.
Në këtë mbledhje, KPK-ja po ashtu formoi një grup punues për shqyrtimin e mundësisë së përfshirjes së anëtarëve joprokurorë në komisionet e Këshillit. Më pas, mbledhja vazhdoi me pika të mbyllura të rendit të ditës, lidhur me raportin e Panelit Hetimor AD.nr.03 /2022-I ndaj një prokurori në Prokurorinë Themelore në Prishtinë dhe kërkesën e anëtarëve të Këshillit Prokurorial të Kosovës, për angazhimin e anëtarëve joprokurorë nëpër komisione. /BetimipërDrejtësi