Beteja e Zhegocit në kontekstin historik
Shkruan: Lulzim Zymberi
(Shkrimi im ka për qëllim që brezi i ri të njohë historinë e Betejës së Zhegocit dhe Vërbicës të datës 15 prill 1999, sipas pikëpamjes sime si pjesëmarrës i saj).
Pas rënies së familjes Jashari në Prekaz, gjendja politike në Kosovë ishte e vështirë, por edhe në Anamoravë.
Ndër njerëzit që preokupoheshin shumë me këtë gjendje ishin edhe të afërmit e mi Tefiku dhe Hanumshahja.
Takimi i parë që pata me ta menjëherë pas ngjarjes së Prekazit, filloi me diskutimin: nuk duhet të rrimë duarkryq, duhet të bëjmë diçka.
Dhe kështu kaluam në vepra. Një ditë qershori, Tefiku erdhi nga Gjilani tek
unë në Vërbicë dhe filluam bisedën rreth luftës në Kosovë.Ai pa pritur shumë më tha: prej sot je ushtari im, ke të fala nga shokët, puno shumë e fol pak.
Në sytë e Tefikut shihja një entuziazëm të pa parë deri atëherë. Fliste me shumë kompetencë: do e bëjmë këtë e këtë, vendi ynë është i përshtatshëm për luftë “a e di sa territor i madh është Malësia e Zhegocit”, thoshte. Ne do e bëjmë “Zonë të Lirë”.
Por puna në teren ishte më e vështirë se që menduam, prandaj puna ngeci pak për të vazhduar më pastaj.
Tefiku dhe Nushja punonin natë e ditë dhe herë pas here më informonin edhe mua dhe më ngarkonin me detyra të cilat duhej t’i kryeja me njerëz të besueshëm në atë kohë pasi që gjendja ishte shumë e vështirë, sepse policia serbe herë pas here vizitonte edhe Malësinë tonë.
Tefiku vinte më takonte mua dhe bisedonim, kërkonte dhe ide, por nëse si pëlqenin nevrikosej, siç dinte ai, por pas një shpjegimi më detal pajtohej dhe ai.
Kërkonte rekrutim të djemve të rinj, si ushtarë në UÇK.
Dëshira tjetër e tij ishte dhe themelimi i shtabit në lagjen tonë ose në një lagje kudo në Vërbicë apo Zhegoc, e siç e dimë shtabi u vendos në lagjen e Hasanëve në Zhegoc.
Tefiku prapë më takoi dhe më urdhëroi që të merrja pjesë në pritjen e një delegacioni ushtarak të ZOK-ut në lagjen e Hashanve. Po të njëjtin mendim e pati edhe Naser Ahmeti (Celi).
Takimi te Hashant ishte frytdhënës si nga pala e ZOK-ut që erdhen nga Zllashi e të cilët ishin: Shemsi Syla (Shaqa), Shpati, Fatmir Mehmeti dhe vajza e tij Shqipja.
Ndërsa ne të malësisë ishim: Lulzim Zymberi, Remzi Hajrullahu, Ragip Nuhiu, Shaban Beqiri, Tahir Tahiri, Faredin Beqiri, Agim Hasimi si dhe familjarët e lagjes së Hashanve.
Zëv. Komandanti Shaqa dhe të tjerët folën gjerë e gjatë rreth organizimit por edhe ne i shfaqëm mendimet tona.
Pas këtij takimi bisedohej më shumë për UÇK-në pothuajse me çdo kënd që takoheshe, sepse gjendja ishte më e lehtë, pasi që kishin filluar bombardimet e NATO-s ndaj caqeve serbe.
Kjo bëri që malësia jonë të mbushej me shumë njerëz nga të gjitha anët, vendosja e shtabit të zonës në Zhegoc dhe bombardimet e NATO-së e bënë malësinë më të dashur.
Shihje njerëz të gëzuar dhe njëkohësisht të ndrojtur, por fëmijët ishin ata të cilët prezenca e ushtarëve me uniformë dhe pa të i lumturonte pa masë.
Pra siç e ceka edhe më herët Tefiku dhe Nushja ishin shembulli më i mirë pa dyshim edhe shokët e tjerë dhe familjarët.
Mbaja lidhje me Pajazit Ahmetin, Bahtir Jahirin, Celin, Ramadanin, Shabanin, Ilmiun, Remën, Ragipin, Tahirin, Islamin, Ilaz Zymberin, Ismet Tafilin, Albanin, Ekremin, Ismet Sylejmanin, Rrustemin, Ismet Ajetin. (Më kujtohet një rast kur i pata thënë bacit Nush dhe babait tim që të shkonin në një vend të caktuar dhe të merrnin një automatik. Sa i lumtur dhe i gëzuar dukej baci Nush edhe pse arma ishte në një vend të largët nga Vërbica).
Ditët kalonin, punët kryheshin disa edhe ngecnin e për t’i çuar përpara shkuam në takim tek komanda e ZOK-ut në Zhegoc, fillimisht u takuam me zëv. Komandant Shemsi Sylën (Shaqa), u përshëndetëm hyrëm brenda në sallon ku takuam komandantin e Brigadës 171 “Kadri Zeka”, Sali Mustafa dhe komandant Gjilani (Refik Shala).
Disa minuta më vonë u takuam edhe me komandantin e ZOK-ut, Ahmet Isufi (Rexha) i cili kishte pasur takim me disa ushtarë.
Takimi me të gjithë të përmendurit ishte i këndshëm, raportuam dhe pranuam detyra.
Vlen të përmendet se derisa komandanti Ahmet Isufi (Rexha) kishte takim me ushtarë, në sallon hynë edhe Bejtullah Krasniqi dhe e informon komandantin e brigadës për një minim zone nga forcat serbe në afërsi të Liqenit të Livoçit (aq sa mbaj mend).
Në këtë takim mbresa të pashlyeshme më la edhe takimi me komandant Gjilanin që kishte shumë kohë pa e parë, edhe pse kisha dëgjuar shumë për të dhe për trimërinë e tij.
UÇK vepronte në gjithë malësinë sikurse edhe te Lagjja e Bilinicve, bëhej rojë dhe po thuaj të gjithë shprehnin dëshirë të bënin rojë dhe të kishin armë, pikat kryesore ishin Rreze-shtëpi e Nushit, Bisag, pika të tjera kishte kudo në Vërbicë e Zhegoc.
Secili me aq mundësi sa kishte ndihmonte luftën çlirimtare, por kjo gjendje bëri që pushteti serb me datë 15 prill, ditë e enjte 1999 të filloj ofanzivën në drejtim të Zhegocit dhe Vërbicës, nga magjistralja Prishtinë-Gjilan, fshatrat Ponesh, Parallovë, Llabjan.
Ofanziva serbe ishte organizuar mirë dhe ajo filloi që në orët e hershme të mëngjesit.
Komanda e ZOK-ut mori masa të shpejta për t’iu kundërvënë forcave paramilitare-policore-ushtarake serbe.
Luftimet filluan, krismat dëgjoheshin, rezistenca vazhdonte.
Tefiku e Hanumshahja, Ramadani e Shabani te Hanet e Zhegocit, Paja e Afrimi rezistonin po ashtu te Hanet e Zhegocit, Albani me shokë te Zhegoci i Epërm.
Lufta ishte e pabarabartë, por morali nuk binte dhe kjo bëri që të bien dëshmorët e parë në Malësi: Tefiku, Hanumshahja, Shabani, Ramadani, Albani e Paja, kurse u plagosën Afrimi, Fadili e Besniku.
Afrim Myrtaj qëndroi heroikisht e i pamposhtur edhe pse kishte marrë shumë plagë.
Rezistencën e fortë e bënte komandant Gjilani me shokë. Rezistencë bëhej edhe në Lug Mrizi. Gjatë luftimeve bien në altarin e lirisë Sherif Sherifi e Enver Pacolli.
Lufta vazhdonte edhe në Bisag ku në istikam vriten Ilmi Hyseni, Feim Ajeti e Bashkim Ramadani.
Forcat serbe i afrohen edhe Lagjes së Bilinicëve. Ata kishin armatim modern për dallim që ne kishim armë krahu.
Rezistencë ndaj forcave serbe bëhej edhe te Kodra e Madhe në Lagjen e Bilinicëve, ku bien dëshmorë Ismet Ajeti, Fadil Ajeti dhe vëllezërit Fatmir e Blerim Ademi nga Bresalci.
Në pikën tjetër afër shkollës vritet edhe Ismet Sadiku, ndërsa në Lug Lakne në Zhegoc vriten Sahit Baftiu, Shahin Baftiu, Kastriot Baftiu dhe familjari i tyre Bahri Sadiku.
Pas një dite të gjatë e luftime të shumta ra terri. Banorët e Bilinicëve dhe lagjeve tjera u strehuan nëpër male, nën qiellin e hapur.
Pas përfundimit të ofanzivës filluam të varrosim edhe ushtarët e vrarë. Momenti i varrimit ishte i vështirë sidomos i familjarëve për djemtë e vajzat e tyre.
Nëna dhe babai qanin për djalin, motrat dhe vëllezërit qanin për vëllaun, fëmijët qanin për nënën dhe babain, gruaja qante për burrin. Momente prekëse, momente trishtimi.
Edhe pas Betejës së Zhegocit pati herë pas here luftime, me 19 maj u vra Ibrahim Pacolli, e me 8 qershor Enver Miftari si dhe Nëna Naile më 22 maj, ndërsa në Betejën e Marecit më 24 prill ra dëshmor mësuesi Bahtir Jahiri.
Të rënët e Malësisë sonë që nga 15 prilli 1999 e deri në përfundim të luftës janë:
Tefik Zymberi, Hanumshahe Abdullahu Zymberi, Shaban Hyseni, Ramadan Hyseni, Ilmi Hyseni, Pajazit Ahmeti, Alban Ajeti, Sherif Sherifi, Enver Pacolli, Feim Ajeti, Bashkim Ramadani, Ismet Ajeti, Fadil Ajeti, Blerim Ademi, Fatmir Ademi, Ismet Sadiku, Sahit Baftiu, Kastriot Baftiu, Shahin Baftiu, Zylfije Gashi, Bahri Sadiku, Bahtir Jahiri, Ibrahim Pacolli, Halla Nole, Enver Miftari, Shefki Salihu, Gafurr Hyseni, Ibrahim Beqiri, Shefik Miftari, Hysni Xhemajli, Agron Ramadani, Rexhep Ramadani, Nijazi Osmani, Bajram Gashi.
Pra, Malësia jonë pagoi çmim të lartë për lirinë e Kosovës, si e gjithë Kosova.
Beteja e Zhegocit është një gur në kalanë e lirisë së Kosovës, ajo është krenaria e Malësisë së Zhegocit, Gjilanit, Karadakut dhe Anamoravës.
Kjo betejë na bënë të ndihemi krenarë edhe kur takohemi me një drenicak, dukagjinas, llapjan, apo këdo tjetër se edhe ne bëm luftën, derdhem gjakun e bijëve dhe bijave më të mirë për lirinë e Kosovës.