Besfort Shala pranohet në studime doktorale në Universitetin e Bristolit
Besfort Shala është pranuar për t’i vijuar studimet doktorale në matematikë në njërin ndër universitetet më të mira të botës, në Universitetin e Bristolit, në Mbretërinë e Bashkuar.
Rikujtojmë se Besforti është në përfundim të studimeve të masterit në Universitetin e Oksfordit. Në temën e masterit me titull “Sieve Methods” ka punuar nën udhëheqjen profesorit nga Universiteti i Oksfordit, matematikanit të famshëm, James Maynard. Gjatë qëndrimit në Universitetin e Oksfordit, Besforti, ishte mjaft aktiv duke qënë pjesëmarrës në seminare e konferenca ndërkombëtare. Prezentoi në seminarin e studentëve të studimeve doktorale “Oxford Junior Number Theory Seminar” dhe ishte pjesëmarrës e prezantues në konferencën “Tomorrow’s Mathematicians Today 2022”. Në universitetin e Bristolit, në studimet doktorale, do të punojë në fushën e teorisë analitike të numrave me matematikanët: profesor Jonathan Bober dhe profesor Oleksiy Klurman.
Vlen të veçohet se ky sukses i Besfortit do të ishte shumë më i vështirë pa përkrahjen e kompanisë EXFIS, e cila përmes Shoqatës së Matematikanëve të Kosovës e ka mbështetur pjesërisht financimin e shkollimit të tij në Universitetin e Oksfordit.
Shoqata e Matematikanëve të Kosovës e uron dhe e përgëzon Besfortin për suksesin e arritur dhe i uron studime të suksesshme në Univesitetin e Bristolit.
Shoqata e Matematikanëve të Kosovës mbetet e përkushtuar të kontribuojë me të gjitha mundësitë dhe kapacitetet që ka në dispozicion për t’i mbështetur të rinjtë e talentuar në fushën e matematikës.
Shoqata e Matematikanëve të Kosovës,
Prishtinë, më 05 maj 2022