Besart Rahimaj / Fatura e mirëqenies!
Shkruan: Besart Rahimaj
Fatura 20 vjeçare e mirëqenies që po vazhdojmë ta paguajmë, ka pasur dhe po vazhdon të ketë një kosto shumë të lartë për neve si qytetarë, kosto e cila ka ardhur si pasojë e krijimit të disa dallimeve të mëdha:
• mes politikanëve që rrinin në zyra e paguheshin me paga të majme pa bërë pothuajse asnjë punë dhe qytetarëve që rrinin rrugëve duke kërkuar vende pune për ta siguruar mbijetesën;
• mes politikanëve që çdo ditë e më e tepër pasuroheshin dhe të qytetarëve që çdo ditë e më shumë varfëroheshin;
• mes të politikanëve që çdo ditë punonin përnjë jetë më të mirë për veten dhe familjet e tyre në vendin e vet dhe qytetarëve që çdo ditë shpresonin të jetonin një jetë më të mirë por në vendet e huaja;
• mes politikanëve që merrnin votat e pushtetin nga qytetarët dhe qytetarëve që nuk përfitonin pothuajse asgjë nga ai pushtet;
• mes politikanëve të korruptuar që rrinin shumë afër dhe i jepnin respekt njëri-tjetrit dhe larg qytetarëve ndaj të cilëve kishin humbur çdo ndjenjë dhe mirënjohje;
• mes politikanëve që në pushtet llogari u jepnin pronarëve të bizneseve të lidhur me politikën dhe qytetarëve që punonin në biznese për pagën minimale dhe që nuk gëzonin as minimalin e të drejtave të tyre;
• mes politikanëve që bënin pazare dhe i shisnin vendet e punës dhe qytetarëve që bënin pazare për të blerë viza pune për të ikur nga vendi;
• mes politikanëve që pa meritë punësonin familjarët e tyre dhe qytetarëve që me meritë po vazhdojnë të punësohen e të punojnë jashtë shtetit të tyre;
• mes politikanëve që kur sëmureshin,
shërimin e shpejtë e të shtrenjtë e kërkonin jashtë shtetit të tyre dhe qytetarëve që sot shërimin e shpejtë detyrohen ta kërkojnë në spitalet e shtrenjta private në vendin e tyre;• mes politikanëve që për 20 vite premtuan avancimin e shërbimeve shëndetësore në spitalet shtetërore dhe qytetarëve që edhe sot me gjendjen e tyre të rëndë sociale i blejnë barnat esenciale;
• mes politikanëve që fëmijët e tyre ndjekin mësimet në shkollat e universitetet më mira jashtë brenda e jashtë vendit për të arritur suksese dhe qytetarëve që fëmijët e tyre ndjekin mësimet në shkollat e vendit të tyre, kurse u kumtoheshin rezultate ndërkombëtare nga më të dobëtat në botë;
• për shkak të politikanëve jo largpamës e jo vizionar, të cilët asnjëherë nuk bënë investime për ndërtimin e termocentraleve dhe burimeve të tjera alternative për ta prodhuar shteti ynë energjinë me kapacitete të mjaftueshme, sot, shteti ynë importon energji elektrike me çmime marramendëse në vend se të prodhojë e eksportojë, meqë dihet botërisht fakti se gjysma e popullit tonë flenë mbi qymyr. Andaj, mendoj se ne nuk duhet të brengosemi vetëm për koston e lartë të energjisë elektrike që duhet ta paguajmë nesër, por duhet të brengosemi më shumë për koston totale të faturës së mirëqenies që ende po vazhdojmë ta paguajmë edhe sot.