“Baleci” dikur – lagjja më problematike e qytetit
Hasan Bunjaku
(Dromca autobiografike)
Në këtë lagje, nga ajo e “Muhaxherëve”, familjarisht u shpërngulëm në “zemrën e Balec Mahallës”, më 1956, afër xhamisë, që atëherë ishte një shtëpi përdhese e pa minare, mu në këndin ku bashkoheshin dy rrugët: ajo që dilte direkt e në qendër të qytetit, dhe asaj që “lakadredhas” dilte (e del edhe sot) në ish Lagjën e Varoshit, që shpiente për Prishtinë.
Ndonëse flitej në tërë qytetin se kjo lagje, është ndër më problematikja, sepse po e përmendje topoleksemën BALEC, i thoje, përnjëherë, thuaja të gjitha të “zezat”: belaxhinj, komorxhinjë, hajna, ngatrrestarë, ngucakeqë, por jo edhe “delinxhi” (të pamoralëshëm)
– familja ime u prit shumë mirë këtu, e unë, që tashmë njifesha me shumicën e bashkëmoshatarëve të mijë, u integrova kaq shpejtë, ndonëse nuk e posedoja asnjërën nga ato vese e cene me të cilat cilësohej kjo Lagje, ku menjëherë më “promovuan” për qendërsulmues të skuadrës së futbollit, e që zhvillonte “gara me Lagjet tjera” të qytetit, në njëfarë Lige Qytetare të Furbollit, sepse tashmë shquhsha për njëfarë “golgeteri” goxha të mirë.Sapo dilje nga porta e oborrit të shtëpisë, aty nën hijen e objektit të xhamisë, në lëndinë, i shihje grupe-grupe duke e luajtur ndoj farë bixhozi: o me do fotografi të aktorëve apo futballerëve të ekipeve shtetërore, që vinin bashkë me do çokollata të vogla fare (të madhësive të fotoseve), gjësende tjera, apo edhe me kopsa (pulla), e besa disa më të rritur, edhe me para (dinarë), dhe habitem me vetëvetën se si nuk i hyra këtij ceni që atëherë, por, pak nga edukata e “edukata e shkopit”, e pak pra edhe nga frikanga babai, kaluan goxha do vite dhe nuk i hyra këtij “sporti”, gjë kjo që i habiste të gjithë në qytet: “Të jesh i Balecit e të mos lusah komor, është diçka fare e “rrallë”…!”
Në ekip të futbollit u itegrova shumë mirë dhe folat e mi shpesh ishin përcaktues për fitoren e ndeshjeve me lagjet: Muhaxhere, Dere-Mëhalla, Karadak-Mëhalla, e me ndonjë tjetër ekipe mixte, sepse me Varoshim nuk luanim dhe nuk e kishim të përfshirë në “Ligë”m në shkollë isha nxënësi më i mirë në brezin tim në mos edhe më gjerë, ndërsa në lojëra të ndryshme, poashtu, zakonisht isha në mesin e më të mirëve, kështuqë për pak kohë Baleci “po krenohej” me mua.
Kryesorët e Lagjës, ishin Ekrem “Kola”, Emërllahi i Hutoviqe, Ilaz “Sllavki”, e Mehmedali “Çopa”, si dhe Sefë “Dinga” (më vonë “Kosovarja”), e Kena “Baba-Xhemë”. Shquheshin edhe Musa Deda “Dadushi”, Sahit Deda, Isa Demiri, Ibrahim, Sabit e Muhamet Demiri, Abdullah, Sadullah e Hajrullah “Lagadangi” “Daki”, Hajdar “Kalanica”, Fetahi i Rexhep “Kasapit”, Sherif, Isa e Xhemajl “Biriçki” e ndonjë tjetër paksa më i madh apo më i vogël…
Emblematikë ishin edhe: Mustafë “Çafgani”, Muhamet “Kërça”, i vëllai Rexhepi, e veçmas Tahir Kërça (ish student i Sorbonës, që para LDB), Tafë “Çopa” e Ali “Çollaki” (të cilit i mungonte fare llëra e njërës nga duartë), Islam “Baruti”, Cela i Cufë Kasapit, pokaq edhe Selim e Ramadan Deda (Që u shpërngulëm për Turqi, pos të tjerëve nga Lagja…).
Me shokët e brezit tim, zakonisht ushëheqte Memetali “Çopa”, që ndërmerrte “aksione” të ndrysheme thuaja çdo ditë. Një mbrëmje, ndërsa të tubuar në oborrin e tashti shkollës “Musa Zajmi”, që atëbotë ishte në ndërtim e sipër, po na thotë: “Nesër veshnu me do rroba të vjetra, se do t’i “hyjmë” “rekës Dobrusha”, për të gjetë armë (?!?), gjë kjo na habiti: “Prej nga armët në atë rrjedhë ujore?”. “Hajt, hajt, se e di unë…!” na tha dhe vërtetë të nesërmën me dofarë brekë paksa më të shkurta, apo edhe me do pantollona të vjetra, të përvjelura deri mbi gjunjë, ia nisëm “gjurmimit” dhe, vërtet, sekush gjente ndonjë pushkë pa atë “kundakun”, ndonjë revole të ndryshkur, e gjësene tjera, ndërkaq sekush kishte “rënë” në një si tenxhere mesatare, të mbushur hing me hing fishekë pushke, aqë dendur sa tashmë ajo pjesa e metaltë e tyre ishte bdryshkur por “kapsolli”, ishte tamam i ruajtur dhe akoma shkëlqente. (Kushedi gjatë luftës së fundit, dhe aksioneve të përherëshme të kërkimit të armëve pa leje ndër popull, njerëzit i kishin hedhur në këtë përroskë, që e përshkonte nga ana verilindore tërë lagjen).
Nejse, gjurmuam edhe ca dhe në fund, sipas “komandës” së “Shefit”, pasi tashmë kishim mbërri thuaja deri tek ura e Maskatarit, na tha ta përmbyllim, dhe meqë ishte pika e drekës, në një hapësirë pak më t[ gjerë të oborrit të Shtëpisë se Dedoviqëve (që fillimisht e patën blerë Shkodrajt e Desivojcës), e ndezëm një zjarrëtë madh, dhe pasi e kishim lëmë mbrapshtë atë “tenxherenë” me fishekë, që të kullohej, e gjuajtëm në zjarrë dhe vetë ikëm nja 10-15 metra dhe u shtrimë përtoke, dhe po prisnim se çfarë do të ndodhëte.
Prit, s’ka, Prit – s’ka, Prit – s’ka, dikur shkon “Shefi” te zjarri dhe eshpupurish mirë e mirë prushin dhe e vendos tamam mbi prush atë farë “mjeti” dhe ikën shpejt dhe vie tek ne. Pas nja pesë minutash, është dëgjua një krismë kaq e madhe, e na t’u platiotëm për toke, ndërkaq krismat “kap-kupë!” nuk u ndalëm një kohë të gjatë, ndërkaq që fishkëllima e plumnbave na dukej se po vinte krejt afër kokave tona.
Zgjati kjo zallamahi nja 20 minuta, dhe çdogjë pushoi, e ne akoma nuk guxonim të ngriteshim, në mos ka ngel po u shkrepur edhe ndonjë fishek, ndërkaq familjarët pas një kohe, të çmeritur fare se çfarë ndodhi, e duke mos guxuar as ata të largohshin shumë nga shtëpitë, kur ashtu disi zhagas u larguam secii kah shtëpia e vet, të llangosur sa nga balta e pluhuri si mos më zi, e besoj, që secili nesh, kush më shumë e kush më pak, e besoj unë më së shumëti, kam “hangër dajak” nga babai, kur m’u desht patjetër ta tregoj tërë të vërtetën. Ndërkaq që kishte arritur me vrap edhe “milicia” (policët) dhe kur e kishin kuptuar se ç’kishte ndodh, tashti pa brenga se do të na ketë ndodh ndonjë gjë, u kthyen duke bërë shaka: “Thamë se krisi Lufta e Tretë Botërore”, bre “problema”! – kishte thënë ai kryesuesi i tyre, dhe me kaq u përmbyll kjo aventurë që ka mund të na e merrte jetën ndonjëri nga plumbat që “çorrazi” po fluturonin andej e këtej…