Arrestohet kirurgu gjilanas, dyshohet se sulmoi fizikisht kolegun e tij

 Arrestohet kirurgu gjilanas, dyshohet se sulmoi fizikisht kolegun e tij

Arrestohet kirurgu Luan Mustafa, dyshohet se sulmoi fizikisht kolegun e tij në Spitalin e Gjilanit

Policia e Kosovës (PK) ka arrestuar dhe dërguar në mbajtje për 48 orë kirurgun Luan Mustafa, nën dyshimin se sulmoi fizikisht kolegun e tij, kirurgun Arbër Morina, në Spitalin Regjional në Gjilan.

Lajmin e ka konfirmuar për Betimi për Drejtësi, Ismet Hashani, zëdhënës i Policisë për rajonin e Gjilanit.

Hashani tha se rasti ka ndodhur të martën rreth orës 14:02 dhe është iniciuar si “Lëndim i lehtë trupor”

“Ankuesi (sh/k/m 1978) i cili punon mjek në Spitalin Regjional në Gjilan derisa ishte në zyrën e tij tek reparti i Kirurgjiës është sulmuar fizikisht nga kolegu i tij i dyshuari L. M. duke pësuar lëndime të lehta trupore dhe ka pranuar tretman mjekësor.I dyshuari është larguar nga vendngjarja. Me vendim të prokurorit të shtetit i dyshimti ndalet për 48 orë në mbajtje gjersa rasti cilësohet “Lëndim i lehtë trupor”, tha Hashani.

Ai konfirmoi se rrethanat e rastit po hetohen nga Policia e Kosovës, stacioni policor në Gjilan.

Lidhur me rastin, kirurgu Arbër Morina ka thënë për Betimi për Drejtësi se sulmi ndaj tij ka ndodhur në zyrën e tij, disa minuta pas përfundimit të një ndërhyrjeje kirurgjike ndaj një pacienti.

Ai tregoi se me të hyrë në zyrën e tij menjëherë ka hyrë edhe kirurgu Mustafa, i cili sipas tij edhe e ka sulmuar fizikisht.

“Ai (kirurgu Luan Mustafa) më ka prit derisa kam dalë prej sallës, më ka ndjekë derisa kam hyrë tek zyra ime dhe më ka sulmu fizikisht. Nuk më ka shkuar mendja që dikush mundet me më sulmu fizikisht për shkak se unë po e bëj një punë të mirë në Kirurgji dhe nuk e kam mendu këtë pjesë. Unë kam tentu me nxjerrë disa herë nga zyra, nuk kam arrit dhe më ka sulmu fizikisht derisa kanë ardhë kolegët e spitalit”, rrëfen Morina.

Ai dyshon se rrahja erdhi për shkak të raportimeve të tij ndaj kirurgut Mustafa, pasi që sipas tij, ky i fundit disa herë ka thyer rregullat e spitalit, dhe se për këto shkelje drejtori i përgjithshëm i Spitalit, Arsim Emini, i ka njoftuar se do ta dërgojë në Komisionin Disiplinor.

“Evidentimin e problemeve e kam bërë me shkrim për çdo shkelje të mundshme. Thyerja e rregullave të punës, mospërmbajtja e rregullave profesionale mjekësore, orarit të punës. Unë i kam raportuar, të gjitha ato ju kanë grumbullu atij (Luan Mustafës) dhe në momentin që drejtoria i ka thënë që ka me u përballë me Komision Disiplinor, ai ka ardhë në zyrën time dhe më ka sulmuar”, ka thënë Morina.

Deklaratën për dërgim e kirurgut Mustafa në Komisionin Disiplinor, e ka konfirmuar edhe drejtori Emini.

“Po, ashtu është”, tha ai shkurtimisht.

Morina gjithashtu thotë se është munduar të shmangte sulmin dhe për të gjitha këto fillimisht është lajmëruar menaxhmenti i spitalit, pastaj edhe Policia e Kosovës.

“Jam mundu më shmang rrahjen. E kam lajmëru drejtorin e përgjithshëm dhe atë klinik edhe i kanë thirrë menjëherë policinë. Policia ka ardhë në vend të ngjarjes dhe i kanë vazhdu procedurat e veta”, tha ai.

Kirurgu Morina ka bërë të ditur se menjëherë pas sulmit fizik ndaj tij nga kolegu Mustafa, ka pranuar trajtim mjekësor në Emergjencë, ndërsa thotë se është mirë me shëndet, por është shumë i ngarkuar psiqikisht dhe emocionalisht.

Po ashtu, kirurgu Morina tha se ishte kërcënuar disa herë nga kolegu Mustafa.

“Po, disa herë më ka ndodhë me pas kërcënime, për faktin që për punën e tij, ia kam tërheq vërejtjen me shkrim për shkak se ka ndodh disa herë që ka kundërshtuar publikisht punën tonë, kolegëve të tij, përballë kirurgëve të tjerë që kanë qenë në repart”, ka theksuar Morina.

Lidhur me rastin, drejtori i këtij spitali, Arsim Emini, tha se menjëherë pasi ka dalë në vend të ngjarjes, e kanë njoftuar Policinë e Kosovës.

“Më ka thirrë në telefon u.d shefi i Kirurgjisë, Dr. Arbër Morina, i cili shkurt më ka njoftuar “më sulmoi fizikisht Dr.Luani”. Jam shtangur nga habia, por më është dashtë menjëherë të shkojë në repart ku e kam gjetur Dr. Arbërin të shqetësuar me shenja të dhunës fizike në qafë dhe buzë. Pasi jam mundu ta qetësoj, kam kërkuar nga një punëtore e spitalit që menjëherë të lajmërojë policinë. Shpejt kanë ardhur policia, të cilët kanë shikuar vendin e ngjarjes”, ka thënë Emini.

Ndryshe, i dyshuari Luan Mustafa vitin e kaluar është arrestuar nga Policia e Kosovës nën dyshimin se bashkë me anesteziologun Halil Basha kanë kryer veprën penale “Marrje ryshfeti”. Ndaj tyre Gjykata Themelore në Gjilan kishte caktuar masën e paraburgimit prej një muaj.

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.

Të ngjajshme