Anketë: Vetëm 4.5 për qind e burrave në Kosovë dinë të gatuajnë

 Anketë: Vetëm 4.5 për qind e burrave në Kosovë dinë të gatuajnë

Një anketë me 111 respondentë tregon se një përqindje e lartë e burrave në Kosovë nuk kryejnë asnjë punë të shtëpisë, ndërsa vetëm 4.5% e tyre gatuajnë në shtëpi.

Të dhënat tregojnë se në një pjesë të madhe të rasteve burrat e perceptojnë veten si ndihmës por jo si përgjegjës për punët në familje.

Kosova renditet si vendi me më së paku gra të punësuara në rajonin e Ballkanit.

Kjo e dhënë u publikua në një studim të realizuar nga 5 organizata joqeveritare gjatë vitit 2023.

Hulumtimi me titull “Ekonomia e nënvlerësuar e grave” ka dhënë një pasqyrë të qartë për punësimin e grave në vendet e Ballkanit.

I shtrirë në Kosovë, Serbi, Mal të Zi, Maqedoni të Veriut dhe në Shqipëri, hulumtimi nxori përfundime për sfidat serioze të punësimit të grave.

Raporti konstaton se Kosova është vendi me më së paku gra të punësuara.

Në raport identifikohen edhe një varg faktorësh që shkaktojnë këtë problem.

“Kosova shfaqet me përqindjen më të ulët të grave aktive në tregun e punës, me vetëm 21.2%, ndërsa 78% e grave mbeten joaktive”- konstaton raporti.

Matja ka konstatuar po ashtu se gratë që punojnë në pjesën më të madhe janë të punësuara dhe nuk zotërojnë biznese në emër të tyre.

“Treguesit e tregut të punës në Kosovë tregojnë se 89.3% e grave janë punëtore, ndërsa vetëm 3.8% janë punëdhënëse. Më pak se 10% e bizneseve drejtohen nga gratë ose janë në pronësi të tyre”- thuhet në raport.

I njëjti raport konstaton se një përqindje e lartë e grave, diku 46.9%, i kanë vendet e punës të pasigurta.

Raporti konstaton se vendi ka bërë disa nisma për barazi në punësim të grave mirëpo ligjet nuk zbatohen në tërësinë e tyre.

Në pjesën e pengesave të punësimit të grave është identifikuar Ligji i punës, i cili, sipas raportit, nuk përkon me mjedisin patriarkal në Kosovë.

“Një nga katër pengesat kryesore të identifikuara për pasivitetin e grave është paaftësia e tyre për t’u rikthyer në tregun e punës për shkak të modelit të papërshtatshëm të pushimit të lehonisë që ofrohet në Ligjin e punës” – thuhet në raport.

E dhënë tjetër e rëndësishme është konstatimi që gratë janë të diskriminuara në pagesë, pasi sipas të dhënave gratë në Kosovë paguhen 6% më pak se burrat.

Për dallim nga Kosova, Shqipëria renditet në mesin e vendeve me më së shumti gra të punësuara në rajonin e Ballkanit.

“Raporti i fundit Burra dhe Gra, i publikuar nga INSTAT-i tregon se shkalla e punësimit për popullsinë 15-64 vjeç ishte 68,2% për burrat dhe 53,8% për gratë në vitin 2021”- thuhet në raport.

Në Shqipëri, bujqësia është një nga sektorët kryesor ku gratë janë të punësuara.

“Bujqësia mbetet sektori primar që punëson gra, me 41.6 për qind të grave krahasuar me 32.3 për qind të burrave”- thuhet në raport.

I njëjti konstaton diskriminim në pronësinë e tokave, pasi gratë punojnë tokën por nuk janë pronare të tyre.

“Vetëm 14 për qind e grave deklarojnë se kanë pronësi mbi tokën bujqësore, që është gjysma e shkallës së deklaruar nga burrat (28 për qind)”- thuhet në raport.

Shqipëria vlerësohet me bazë të mirë ligjore në trajtimin e barazisë së grave në punësim, ndërsa disa masa të ndërmarra nga shteti tregojnë rezultate të prekshme edhe pse në vend ka diskrepancë mes kohës që gratë e kalojnë në punët e shtëpisë në raport me burrat.

Ligji për sigurimet shoqërore ua ka njohur burrave në Shqipëri të drejtën për pushim të atësisë, ndërsa ndryshimet në Kodin e Punës po ashtu i lejojnë secilit prej prindërve të kërkojë leje prindërore.

Një zhvillim tjetër i përmendur është nisma e Ministrisë së Arsimit, e cila u mundëson fëmijëve të qëndrojnë për dy orë në shkollë për t`i përfunduar detyrat.

Anketa sociale e studimit përfshiu 90 respondentë dhe në të konstatohet se 15% e të intervistuarve mendonin se nënat duhet të ishin kujdestaret e vetme për fëmijët.

Nga ana tjetër, anketa po ashtu tregon se më shumë gra thanë se nënat duhet të kujdesen për fëmijët, krahasuar me gratë që thanë se baballarët duhet të jenë përgjegjës (6% krahasuar me 1%).

Mali i Zi vlerësohet si një ekonomi e cila bazën kryesore e ka në turizëm. COVID-19 sipas raportit ndikoi në uljen e punësimit të grave dhe të të hyrave të tyre. Kjo pasi në Mal të Zi një pjesë e grave janë të angazhuara në turizëm.

“Pjesa më e madhe e grave e humbën punën në sektorët e mëposhtëm si tregtia (1,674, që përfaqëson gati 30% të numrit të përgjithshëm të grave që e humbën punën); bujqësia, pylltaria dhe peshkimi (797), dhe shërbimet e akomodimit dhe të ushqimit (499)”- thuhet në raport.

Mali i Zi përshkruhet në raport si një shoqëri patriarkale ku burrat zotërojnë pjesën më të madhe të pasurisë.

“Prania dhe ndikimi i madh i normave zakonore reflektohet veçanërisht në trashëgimi, në pronësinë mbi tokën dhe pronat e paluajtshme – të dhënat tregojnë se gratë janë pronare të vetëm 4% të shtëpive dhe 8% të tokës”- thuhet në raport.

Diskriminim i theksuar për gratë vërehet edhe në punësim. Raporti konstaton se gratë në Mal të Zi kanë shkollim superior, mirëpo nuk arrijnë të marrin vendet e punës.

“67% e titullarëve të diplomave specialistike dhe 61% e titullarëve të masterit janë gra, por gratë përbëjnë 44% të popullsisë së punësuar dhe aktive”- thuhet në raport.

Serbia vlerësohet si vend ku në disa sektorë gratë dominojnë në punësim.

Gratë janë të punësuara më shumë në financa, shkencë dhe shëndetësi.

Sipas statistikave në fushën e sigurimeve janë të punësuara 32 mijë gra – krahasuar me 17,500 burra, në fushën e veprimtarive profesionale, shkencore, inovative dhe teknike janë 57,600 gra kundrejt 54,700 burra.

Punësimi i grave është më i lartë edhe në fushën e arsimit, ku janë të punësuara 136,300 gra krahasuar me 45,100 burra.

Gjithashtu, gratë dominojnë për nga punësimi në fushën e shëndetësisë dhe të mbrojtjes sociale – 133 mijë gra krahasuar me 38,800 burra.

Raporti konstaton se Serbia vazhdon të ketë barriera sociale e kulturore në barazinë e grave. Kjo sidomos vërehet në ndarjen e punëve të shtëpisë dhe perceptimin që disa punë janë vetëm për gratë.

Pjesë e hulumtimit të pesë organizatave është edhe Republika e Maqedonisë së Veriut.

Në këtë vend ngjashëm me vendet e tjera të Ballkanit dominimi patriarkal është evident

“Mund të vërehet se burrat përbëjnë pjesën më të madhe të të punësuarve në aktivitete si ndërtimi (91.3%), minierat dhe guroret (90.5%), transporti dhe magazinimi (88.7%), furnizimi me ujë, kanalizimet, menaxhimi i mbetjeve dhe aktivitetet e rehabilitimit (82.4%), dhe furnizimi me energji elektrike, gaz, avull dhe ajër të kondicionuar (74.8%). Gjithashtu, mbi 60% e fuqisë punëtore në sektorët e administratës publike dhe të mbrojtjes, sigurimi social i detyrueshëm (68.3%), informacioni dhe komunikimi (66.3%), shërbimet e akomodimit (65.4%), bujqësia, pylltaria dhe peshkimi (64.4%), dhe aktivitetet e pasurive të paluajtshme (62.6%) janë gjithashtu burra”- thuhet në raport.

Hulumtimi shpërfaq edhe çështjet e tjera sociale të jetës në Maqedoninë e Veriut, ku burrat janë pak të angazhuar në punët e shtëpisë.

Barrierat ligjore dhe mentalitetit patriarkal po ashtu vlerësohen si pengesa të punësimit të grave.

Hulumtimi me titull “Ekonomia e nënvlerësuar e grave” është përgatitur nga:

– Instituti Demokracia për Zhvillim, Dr. Judita Krasniqi- Hajdari (Kosovë),

– Qendra për Hulumtime dhe Politikëbërje, Kristijan Trajkovski (Maqedoni e Veriut),

– Instituti për Studime Strategjike dhe Prognoza, Angjela Luçiq (Mali i Zi),

– Qendra Aleanca Gjinore për Zhvillim, Mirela Arqimadriti (Shqipëri), – Fondacioni BFPE për Shoqëri të Përgjegjshme, Svetlana Stefanoviq dhe Mirjana Gjorgjeviq (Serbi).

Të ngjajshme