Ambasadorja e paqes, Makfire Osmani Uzunaliq – e shqetësuar nga gjuha që po përdorin gratë në Parlament
Gjuha që po përdoret nga gratë në Parlamentin e Kosovës, ka shqetësuar edhe veteranen e arsimit në pension, Makfire Osmani Uzunaliq nga Gjilani, njëherësh ambasadore e paqes.
‘Kjo papjekuri e disa grave nuk përkon me rolin e femrës si krijesë me shumë përgjegjësi për familje të shëndoshë, për fëmijë me një edukatë të përgjithshme dhe për një shoqëri përparimtare’, thotë ajo.
‘Eshtë e papranueshme dhe shumë shqetësuese kur disa gra me poste të larta në subjektet e tyre politike, me një karrierë të gjatë si Deputete të Parlamentit, të bëhen pre dhe pengesë e punës normale të Legjislativit.
Eshtë shqetësuese që gruaja si
“shtyllë e familjes dhe shoqërise”, vetë natyra e saj suptile, të jetë shkaktare e situatave përqarëse dhe destabilizuese.Këto sjellje ndaj njëra tjetrës janë në kundërshtim me etikën e femrës si krijesë e reflektimit pozitiv ndaj familjes, fëmijëve, gjeneratave të reja dhe tërë shoqërisë.
E tërë kjo papjekuri e disa grave të suksesshme të të gjitha subjekteve, nuk përkon me rolin e femrës si krijesë me shumë përgjegjësi për familje të shëndoshë, fëmijë me një edukatë të gjithanshme dhe një shoqëri përparimtare’, thotë Makfire Osmani Uzunaliq, veterane e arsimit në pension, e nderuar me mirënjohje ambasdore për paqe.