Alarmon SBAShK-u: 600 mësimdhënës ikën nga Kosova, morën pushim pa pagesë

 Alarmon SBAShK-u: 600 mësimdhënës ikën nga Kosova, morën pushim pa pagesë

Në fund të dhjetorit ishin 300, e me t’u liberalizuar vizat, u shtuan edhe 300 të tjerë. Regjistri i pushimeve pa pagesë nëpër shkollat e Kosovës sa po shkon e po shtohet.

Shkak për këtë është liberalizimi i vizave.

Ky trend deri më tash numëron 600 mësimdhënës të cilët kanë kërkuar pushim pa pagesë nga eprorët e tyre dhe e kanë lënë vendin e tyre të punës bashkë me vendin e tyre të lindjes, duke u nisur drejt rrugëve të Evropës.

Kështu ka alarmuar Sindikata e Bashkuar e Arsimit dhe Shkencës, për punëtorët e arsimit, të cilët sipas tyre liberalizimi i shtyu ta lënë Kosovën për të ikur jashtë.

Ndonëse politikat e zonës schengen lejojnë kosovarët që të qëndrojnë atje deri në më së shumti 3 muaj, mësimdhënësve sipas ligjit të Kosovës, iu lejohet që këtë pushim pa pagesë ta zgjasin deri në 1 vit.

Këto shifra, sipas kryetarit të kësaj sindikate Rrahman Jasharaj nuk janë zyrtare, megjithatë ka thënë se janë të dhëna që drejtoritë komunale të Arsimit ua kanë dhënë SBASHK-ut.

Jasharaj ka parë tendenca nga drejtoritë komunale që të fshehin largimin e mësimdhënësve nga ministria e Arsimit dhe kjo sipas tij bëhet që shkollës mos t’i dëmtohet reputacioni.

Duket se liberalizimi i vizave ka qenë zgjidhja e vetme e mbetur për mësimdhënësit që të protestojnë kundër pakënaqësive të akumuluara ndër vite.

Ajo që ia ka dhënë vulën zhgënjimit të tyre ka qenë rritja e pagës prej vetëm 28 euro dhe asnjë cent më shumë, vendim ky që u mor muaj më parë nga qeveria e Kosovës.

E këtë, SBASHK-u e cilëson ironike. Shkumësi e shpuza thotë Jasharaj vazhdon të mbetet forma e vetme për t’i mësuar nxënësit ndonëse me avancimin e teknologjisë, ai vlerëson se në vend të tyre, do të duhej që mësimdhënësit të përdornin laptop e projektor.

I gjendur përball kësaj situate, kryetari i SBASHK-u alarmon MASHT-it që sa më shpejtë të angazhohet në një zgjidhje të këtij kaosi. Në të kundërtën, SBASHK-u vlerëson se vendi do të mbet pa mësues.

Të ngjajshme