Alarmante, drogat “pushtojnë” të rinjtë
Perdorimi i substancave narkotike në Kosovë po shënon rritje
Nga Ismajl VELIU
Problemi i narkomanisë është njëri nga shumë problemet me të cilat po përballet shoqëria kosovare, sidomos që nga periudha e pasluftës.
Në Kosovë numri i përdoruesve të substancave narkotike llogaritet të jetë rreth 25 mijë. Ndërsa, sipas hulumtimeve nga organizatat joqeveritare kohët e fundit është rritur numri i përdorueseve femra.
Ka rënie rapide të moshës së përdoruesve të narkotikëve nga moshat më të mëdha në mosha të vogla, madje te filloristët.
Sipas disa burimeve, mosha mesatare në 2018 ka qenë 22 vjeç, e brenda një viti ka rënë në 16 vjeç, ndërsa rastima ekstrem ka qenë në moshën 10 vjeçare.
Konsumimi i drogës, sa i përket moshës, përdoret varësisht nga lloji i drogës. Lloji i drogës që vazhdimisht po përdoret nga të rinjtë është ‘Kanabisi’, pastaj vjen ‘Kokaina’ dhe drogat e klubeve të natës.
Organizatat joqeveritare konsiderojnë se qasja e të rinjve deri te shitësit e drogave nuk është e vështirë, gjë që, sipas tyre, është shumë shqetësuese.
Një gjendje e tillë, sipas organizatave që merren me monitorimin e kësaj dukurie, është pasojë e mungesës së koordinimit të duhur ndërmjet shumë mekanizmave institucionalë në vend.
Institucionet e Kosovës duhet të ndërmarrin programe parandaluese kundër përdorimit të drogave, e që do të jetë i aplikueshëm tek të rinjtë.
(Autori i shkrimit është kriminolog – sociolog)