Afro 12 mijë shqiptarë të Luginës së Preshevës ende s’kanë marrë shtetësinë në Kosovë
Afro 12 mijë shqiptarë të Luginës së Preshevës, të cilat që prej vitit 1999 jetojnë në Kosovë, nuk kanë marrë ende shtetësinë kosovare. Kështu deklaroi për emisionin “Mirëmëngjes” në Euronews Albania, Kushtrim Ajvazi, përfaqësues i Lëvizjes Qytetare Vatra.
Ai theksoi se edhe fëmijët e këtyre familjeve që kanë lindur në Kosovë nuk kanë marrë shtetësinë.
“Ky është një vendim i vonuar, por më mirë vonë se kurrë. Tani por presim se çfarë do të bëhet nga ky ligj. Qeveria e Kosovës nuk i ka regjistruar as si refugjatë dhe nuk ka të dhëna sesa qytetarë janë të asaj pjese. Kërkojnë dëshminë 5-vjeçare
të qëndrimit të Kosovës. Shumica e tyre nuk kanë mundësi të dëshmojnë vendbanimin, apo të dhënat e tyre dhe do hasin vështirësi”, u shpreh ai.Z. Ajvazi nënvizoi se qëllimi është që të pajisen me dokumente të rregullta në Kosovë dhe të kthehen në vendin e origjinës.
“Këta persona janë në të zezë dhe nuk kanë pasur asnjë të drejtë”, tregoi ai.
Problemet me të cilat ata përballen këta qytetarë, po tentohen të zgjidhen përmes një iniciative të qeverisë së Kosovës, e cila më 29 dhjetor të vitit të kaluar miratoi koncept-dokumentin për shtetësinë.
Në këtë dokument, është përfshirë komenti dhe propozimi i Zyrës së Presidentes, i cili do t’u mundësojë shqiptarëve nga Medvegja, Presheva e Bujanoci të pajisen me shtetësi të Kosovës./euronews.al/