Afrim Haliti: A erdhi dita të bindemi se Albini nuk është me Amerikën?
Shkruan: Afrim Haliti
Frika është një emocion njerëzor, gjithsesi i natyrshëm, i fuqishëm, dhe para së gjithash emocion primitiv. Ajo paraqet një përgjigje të lartë emocionale individuale. Frika si emocion na paralajmëron për kërcënimin apo praninë e rrezikut, qoftë ai rrezik fizik apo psikologjik.
Frika po ashtu është emocion që mund të mësohet nga eksperiencat e ndryshme, si individuale, ashtu edhe kolektive. Frika mund të mësohet edhe atëherë kur dikush na e kujton që frikësohemi apo duhet frikësuar, siç shumica nga ne kishim përjetuar të tilla eksperienca gjatë fëmijërisë.
A ju kujtohet një video, që mbase duhet ta kenë parë shumica, kur kryeministri
Albin Kurti në një nga protestat e tij të përhershme, elaboron me disa nga bashkëprotestuesit mbi dashurinë që ne kishim apo jo ndaj SHBA-ve?Theksi i veçantë në atë elaborim i vihej frikës, që edhe bashkëbiseduesit e tij nuk e dinin që e kishin deri sa e vërtetuan që Albin Kurti e kishte përnjëmend atë që e thoshte!
Thjesht, Albin Kurti me apo pa vetëdije (unë besoj që me vetëdije të plotë) përmend frikën që potencialisht ne e kemi, por nuk po e ditkemi që e kemi mbi një rrezik që po ekzistuaka jashtë vetëdijes sonë të varfër.
Ai rrezik, sipas tij, e ka emrin Amerikë! Dhe ky do duhej të ishte një iluminim që do të duhej të na ndriçonte rrugën tonë drejt një çlirimi shpirtëror dhe një emancipimi të mirëfilltë politik.
Meqenëse Albin Kurti kishte kohë që kishte trasuar këtë rrugë për vete, tashmë po krijonte momentumin që në këtë rrugëtim të mos ishte i vetëm. Sipas rregullave të turmës gjatë nxitimit, atij po i shtoheshin gjithnjë e më shumë ndjekës.
Çfarë kishim tashmë nga Albin Kurti fillimisht, dhe nga ai së bashku me Vetëvendosjen më vonë gjatë historikut të tyre ‘iluminues’?
Albin Kurti dhe Vetëvendosje, ndaj ambasadores Tina Kaidanow kishin organizuar protestat ‘kreative’ me gomarë.
Albin Kurti dhe Vetëvendosje, ndaj ambasadorit Christopher Dell kishin bërë kritika në baza ditore.
Albin Kurti dhe Vetëvendosje, ndaj ambasadores Tracy Jacobson kishin shkuar edhe një hap më larg, duk ushtruar dhunë fizike.
Albin Kurti dhe Vetëvendosje, siç kishte dëshmuar edhe ambasadorja Tracy Jacobson, i ishte kërcënuar edhe Madeleine Albright-it me protesta, po mori ajo guximin të vizitonte Kosovën.
Albin Kurti dhe Vetëvendosje, ndaj ambasadorit Greg Delawie organizuan edhe peticion për ta përjashtuar, e që në gjuhen diplomatike praktikisht nënkupton thirrje për ta shpallur atë persona non grata.
E përbashkëta e gjithë këtyre ambasadorëve dhe e të tjerëve është se që të gjithë ishin përfaqësues diplomatikë dhe politikë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës – shtetit më të fortë ushtarakisht e ekonomikisht në botë, dhe shteti më meritor për lirinë dhe pavarësinë e Republikës sonë, të Kosovës!
Abin Kurti dhe Vetëvendosje nuk e kishin shprehur kundërshtinë e tyre vetëm ndaj ambasadorëve të SHBA-ve! Albin Kurti në mënyrë eksplicite kishte marrë qëndrime kundërshtuese ndaj secilit President të SHBA-ve, që nga Bill Clintoni.
Clintonin e kishte kundërshtuar në lidhje me Rambujenë, George Bushin e kishte kundërshtuar ndaj negociatave të Vjenës, Barack Obaman e kishte kundërshtuar në lidhje me çështjen e shpifur të demarkacionit, Donald Trumpin e kishte kundërshtuar në lidhje me marrëveshjen e shtatorit 2020.
Tashmë, a po çuditeni pse Albin Kurti është totalisht i izoluar nga SHBA-ja? A po çuditeni që Albin Kurti në rrafshin ndërkombëtar arritjet më të mëdha i ka dy pushimet familjare, të parin në Greqi dhe fill pas Greqisë, tjetrin në Kanë të Francës në festivalin e filmit.
Vizita të cilën ia kishte aranzhuar gruaja e tij Rita në Norvegji, i kishte shkuar si mos më keq dhe rrjedhimisht suksesi i asaj vizite rezultoi vetëm në një ngrehje të veshit!
A po çuditeni që sot, Presidenti aktual i SHBA-ve, i cili historikisht me pasion kishte qenë kundërshtar i politikave serbe në rajon, pa asnjë problem dhe me kënaqësi është i gatshëm që në Shtëpinë e Bardhë të pranojë ambasadorin e Serbisë në SHBA, derisa Kryeministrit tonë Albin Kurtit nuk i kthen as përgjigje diplomatike për ndonjë takim potencial, mbase edhe në ndonjë shtëpi tjetër të ngjyrosur ndryshe nga e bardha?!
A po çuditeni që sot Albin Kurti paralajmëron me pompozitet një vizitë private në SHBA, sepse askush në qarqet më të larta të politikëbërjes amerikane nuk është i gatshëm ta takojë?
A po çuditeni që sot, një qytetar i Kosovës në diasporë në SHBA po mundohet t’ia organizojë Albin Kurtit një takim privat me një matematicient, sa për sy e faqe? Ka mundësi që nuk çuditeni, sepse sot, ju nuk jeni të hamendshëm, por jeni të gënjyer. Dhe më e keqja e të qenit të gënjyer, është të kuptosh se keni qenë të pavlefshëm për të qenë i sinqertë me ju! E kjo është niveli më i ulët i dëshpërimit./kosova24.net/