𝗣𝗼𝗽𝘂𝗹𝗹𝘀𝗶𝗮 në Komunën e Gjilanit
Popullsia e Gjilanit, përherë ka qenë e përzier, por me një shumicë dominuese të shqiptarëve, si gjatë sundimit turk, ashtu edhe atij serbo-jugosllav. Komuna llogaritet t`i ketë rreth 150 mijë banorë, meqenëse numri i saktë nuk dihet, pasi që këtu nuk është bërë regjistrim zyrtar i popullatës prej vitit 1981. Rreth 89 për qind të kësaj popullsie e përbëjnë shqiptarët, ndërsa pjesa tjetër janë serbë, romë, turq dhe të tjerë.
Hapësira e komunës deri më 2010, përfshinte një territor prej 515 km/2, 63 vendbanime, 54 zona kadastrale. Decentralizimi, si proces i imponuar nga bashkësia ndërkombëtare, në kuadër të pakos së Ahtisarit, kahequr kësaj komune rreth 130 km/2,
të cilat i janë bashkuar komunës së re të Parteshit, ose komunës së zgjeruar të Artanës.Artanës i janë bartur zonat kadastrale: Dragancë, Koretishtë, Kufcë e Epërme, Makresh i Epërm, Makresh i Poshtëm, Mozgovë, Parallovë, Stanishor dhe Strazhë. Ndërkaq, Budriga, Parteshi dhe Pasjani përbëjnë komunën e re të Parteshit.
Decentralizimi e ka ndryshuar dukshëm strukturën nacionale të popullsisë në komunën e Gjilanit. Tani këtu, pos në qytet, komuniteti serb jeton në Shillovë, që është fshat njëetnik, në Ponesh, Cërnicë, Kmetoc e Livoç i Epërm, që janë vendbanime me popullsi të përzier. Komuniteti turk është i koncentruar kryesisht në qytet dhe në fshatin Miresh. Romët jetojnë në qytet, në dy lagje.