𝗛𝗮𝗿𝗮𝗱𝗶𝗻𝗮𝗷: Qeveria i ka bërë dëm vendit, AAK do e ndihmojë Kosovën të dalë nga kjo situatë
Sot në Suharekë, nën përkujdesen e krytarit Bali Muharremaj u mbajt takimi përmbyllës për këtë vit i Këshillit të Përgjithshëm të AAK-së. Kryetari i kësaj partie, Ramush Haradinaj thotë se komunat ku udhëheq AAK janë komunat më të suksesshme në nivel vendi dhe shembull i qeverisjes së mirë.
Ai tutje thotë se Qeveria jonë ka dështuar të tregojë rezultate të kënaqshme e i ka bërë dëm vendit. Por sipas Haradinajt, AAK do e ndihmojë Kosovën të dalë nga kjo situatë.
Njoftimi i plotë:
Në Suharekë, nën përkujdesjen e kryetarit, Bali Muharremaj, në takimin përmbyllës për këtë vit me Këshillin e Përgjithshëm të AAK-së,
ku prezent ishin edhe aktivistë, përfaqësues të shoqatave të dalura nga lufta dhe të bizneseve të Suharekës.Qeverisja e Suharekës dhe komunat e tjera me të cilat udhëheq AAK, pavarësisht sfidave dhe diskriminimit nga niveli qendror, edhe këtë vit janë komunat më të suksesshme në nivel vendi dhe shembull i qeverisjes së mirë.
Fatkeqësisht, Qeveria jonë ka dështuar të tregojë rezultate të kënaqshme. Ka dështuar në tema madhore që janë jetike për vendin. Ka refuzuar termocentralin Kosova C, ka refuzuar projektin e Gazsjellësit Amerikan, nuk ka implementuar Ligjin e Pagave e ka bllokuar investimet publike.
Në aspektin e sigurisë ka neglizhuar këshillat e aleatëve tanë, ShBA-ve në veçanti, duke i bërë dëm të madh vendit. Por, Aleanca do e ndihmojë Kosovën të dalë nga kjo situatë. E them me plot bindje se Aleanca është nevojë urgjente për Kosovën, për zhvillimin e saj ekonomik, për stabilitet energjetik, për ruajtjen dhe forcimin e partneritetit me aleatët tanë, si dhe për zhvillimin e Komunave të Kosovës.
Duke iu falënderuar për sukseset e përbashkëta që i kemi arritur gjatë këtij viti, uroj që bashkë t’i gëzojmë sukseset në 2023./Indeksonline/